Probleme nga reshjet e shiut, masivi shkëmbor bie në afërsi të tunelit të fshatit Fshat, përmbytet rruga e Arbrit mes dy lagjeve të Bulqizës

Probleme nga reshjet e shiut, masivi shkëmbor bie në afërsi të tunelit të fshatit Fshat, përmbytet rruga e Arbrit mes dy lagjeve të Bulqizës

Një masiv i madh shkëmbor u shkëput nga mali në afërsi të tunelit të rrugës së Arbrit në fshatin Fshat të bashkisë Klos. Sipas dëshmitarëve, shkëmbi është shembur rreth orës 11 të kësaj të hëne, ndërsa për fat të mirë nuk pati automjete duke kaluar në rrugë. Ndërkohë, për shkak të lartësisë së madhe dhe peshës së rëndë, ky masiv shkëmbor dëmtoi asfaltin.

Reshjet e shiut të mbrëmjes së kaluar kanë shkaktuar përmbytje mes dy lagjeve të qytetit të Bulqizës. E gjithë rruga tek ura që lidh dy lagjet e qytetit u mbush me ujë duke vështirësuar lëvizjen dhe duke u bërë burim aksidenti për automjetet që qarkullojnë në drejtim të Peshkopisë. Situata në këtë zonë përsëritet sa herë ka reshje shirash për shkak të bllokimit të kanaleve kulluese anësore të rrugës së Arbrit dhe kanalit ujëmbledhës mes dy lagjeve të qytetit.

Reshjet e shiut mbrëmjen e së dielës ishin në formë shtrëngate dhe kanë krijuar probleme të ndryshme në rrugët nacionale të Qarkut Dibër, kryesisht me rënien e gurëve në rrugën e Arbrit në vendin e quajtur Ura e Çerenecit. Në Fushë – Bulqizë, uji i Zallit të Thatë doli nga shtrati duke shkaktuar përmbytje të rrugës, e për pasojë qarkullimi u mbajt i bllokuar përrreth 3 orë.