Probleme në tunelin e Murrizit? Banorët kërkojnë rivënien në funksion të bypassit
Bypassi i Murrizit, që ka qenë pjesë e rrugës së Arbrit para se të hapej për qarkullim tuneli numër 1, është lënë totalisht në mëshirë të fatit. Duke qenë se kalimi i mjeteve bëhet në tunel, bypassi është degraduar. Banorët e fshatrave Bastar-Murrize në anën e Tiranës dhe Xibër-Murrize në anën e Klosit thonë se rruga duhet të mirëmbahet pasi ju shërben atyre. Madje ata shprehen se kanë dëgjuar që tuneli i Murrizit do të mbyllet për qarkullimin e automjeteve për shkak të problemeve që janë shfaqur në mes të tij, ku ka shtypje të strukturës dhe janë krijuar gunga në asfalt.
Nga ana tjetër, drejtuesit e mjeteve dhe banorët kërkojnë që të mirëmbahet rruga e bajpasit pasi ajo tashmë ju shërben edhe atyre. Në mungesë të mirëmbajtjes së vazhdueshme i gjithë bypassi i Murrizit ka probleme me praninë e gropave dhe gurëve e inerteve që kanë rënë qëkurse është hapur për qarkullim tuneli numër 1.
Nga ana tjetër, edhe pse tashmë rruga e Arbrit quhet e përfunduar pasi është e gjitha e qarkullueshme dhe me sinjalistikë përfundimtare, ende vazhdon puna për hapjen e tunelit të emergjencës së tunelit të Murrizit.