Probleme në rrugën e Arbrit, shembje dherash në segmentin Herebel-Peshkopi

Probleme në rrugën e Arbrit, shembje dherash në segmentin Herebel-Peshkopi
Një shembje masive dheu ka rënë në rrugën e Arbrit mëngjesin e kësaj të mërkure duke bllokuar gjysmën e karrexhatës. Shembja e dheut ka ndodhur në një nga skarpata e lotit të fundit të rrugës së Arbrit në fshatin Melan, duke bërë që qarkullimi i automjeteve të bëhet vetëm me një korësi. Për të shmangur aksidentet, në vendin e ngjarjes doli policia rrugore e cila orientoi drejtuesit e mjeteve për të shmangur rrezikun. Sakaq, pritet ndërhyrja e mjeteve të firmës që e ka ndërtuar këtë segment rrugor për të larguar inertet dhe baltën e rënë në asfalt. Segmenti rrugor Herebel-Peshkopi është ndërtuar i gjithi nga fillimi si pjesë e rrugës së Arbrit, loti fundit. Punimet nisën në Gusht të vitit 2023 dhe përfunduan në Maj të vitit 2025, ndërsa ka shfaqur probleme të ndryshme sidomos me skarpatat ku në disa vende ka patur rrëshqitje të dherave. Reshjet e fundit të shiut nxorën në pah problemin e mungesës së ndërtimit të kanaleve ujëmbledhëse mbi rrugë që bëjnë të mundur shmangien e shembjeve të tilla në ditët me shi.