Probleme me rrugët nacionale, rruga Burrel – rrëshen gati e pakalueshme
Në rrugët nacionale Burrel – Skuraj dhe Burrel – Rrëshen ka patur probleme edhe gjatë kësaj të Mërkure. Në segmentin e Shkopetit pati rënie të gurëve në të gjithë gjatësinë e tij. Ndonëse firma mirëmbajtëse ishte gjithë kohën në terren, herë herë rruga ishte me një sens lëvizje. Për fat të mirë nga prania e gurëve në rrugë nuk pati aksidente rrugore.
Më problematike situata ishte në aksin tjetër nacional Ura e Matit – Rrëshen. Edhe gjatë ditës së djeshme por edhe gjatë ditës së sotme ka patur rënie të vazhdueshme të dherave.
Më problematik ishte segmenti në vendin e quajtur “Pujkë” ku në disa pjesë rruga është kthyer me një sens lëvizje. Edhe pranë urës së Urakës vazhdojnë të ketë shembje të dherave.
Ajo që bie në sy gjatë këtyre dy ditëve në këtë aks rrugor nuk ka patur asnjë mjet për të larguar dherat nga rruga në mënyrë që ajo të jetë lehtësisht e kalueshme. Bllokimi i kanaleve kulluese e ka rënduar më tej situatën në këtë aks rrugor.
Ndërkohë, “Ura e Lufit” në Zenisht është në prag të shembjes pasi është e mbuluar nga uji dhe në këmbën jugore të saj është hapur një gropë e cila vijon të gërryejë bazamentin.