Probleme edhe në rrugët nacionale Burrel - Skuraj, Burrel – Klos dhe Burrel - Rrëshen
Reshjet e shiut të nisura që në orët e para të ditës së martë kanë shkaktuar probleme edhe në rrugën nacionale Burrel – Skuraj. Në të gjithë aksin nga Burreli deri në Shkopet pati rënie gurësh dhe rrëshqitje dherash të cilat kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Kanalet kulluese anësore të rrugës nuk e kanë përballuar sasinë e madhe të ujit që grumbullohej nga shiu i dendur, duke bërë që në rrugë të dalë zhavor, dhera etj. Për të mbajtur situatën nën kontroll pëegjatë këtij segmenti ishin mjetet e firmës mirëmbajtëse të cilat bënë të mundur largimin e inerteve.
Edhe në rrugën nacionale Burrel – Rrëshen pati probleme gjatë kësaj të marte. Në segmentin afër Urakës pati rrëshkitje dherash dhe gurësh të cilët u bënë problem për qarkullimin e automjeteve. Mbushja e kanaleve anësore të rrugës në Urakë bëri që uji të vërshojë përmes tokave bujqësore.
Në rrugën nacionale Burrel – Klos problem i vetëm ishte prania e madhe e ujit që nga ura e Matit e deri në hyrje të qytetit të Klosit. Përgjatë gjithë luginës, kanalet kulluese e patën të pamundur të përballojnë gjithë sasinë e ujit që mblidhej nga reshjet e shiut në formë shtrëngate.
Edhe në rrugët rurale kryesisht të Bashkisë Mat pati probleme, ndërsa në terren po punohet për rikthimin e tyre në normalitet.
Situata pritet të përkeqësohet edhe në orët në vijim pasi reshjet janë të pandërprera ku herë pas here shfaqen në formë shtrëngate.