Kjo humbje pa dyshim që i ka mërzitur lezhjanët, pasi prish ekuilibrat në klasifikim, por edhe në anën psikologjike, që ishte përmirësuar shumë pas fitores me Shkumbinin në shtëpi. Para ndeshjes me Burrelin shpresohej shumë për një barazim që do ta mbante këtë skuadër në lojë për kreun ndoshta edhe në fund të fazës së parë.
Trajneri Plori nisi dje punën për ndeshjen e radhës, por më parë u zhvillua analiza e humbjes në Burrel, ku pati kritika për dobësitë që skuadra shfaqi në atë ndeshje. Megjithatë, drejtuesit e Besëlidhjes ia faturojnë gjykimit atë humbje, siç e thekson me forcë presidenti Gjok Noka për “Panorama Sport”. Ai shprehet se humbja e Besëlidhje u gatua nga “timonieri”, siç e quan ai kryesorin Beqiri dhe asistentët e tij.
“Para ndeshjes ndaj Burrelit iu drejtuam federatës me një kërkesë për gjyqtarë seriozë të nivelit të Superiores dhe ashtu u vendos. Për këtë i jemi mirënjohës federatës dhe falënderoj në veçanti presidentin e saj Armand Duka për gjithçka. Ndryshe nga sa ishte parashikuar, “timonieri” Ardian Beqiri dhe asistentët e tij kishin ardhur në Burrel me mendje të ndarë për të fundosur Besëlidhjen.Ashtu bënë. Asistenti i parë anuloi golin e Gjorgjeviçit për pozicion jashtë loje, që në të vërtetë ishte gol i rregullt dhe për këtë disponojmë pamjet filmike. Nuk u mjaftuan me kaq, por po një asistent ngriti flamurin sapo Bushi hyri në zonën e Burrelit, duke ndërprerë një rast për shënim.
Kulmin e maskaradës “timonieri” e shfaqi kur Burrelit i shtoi një gol, kur topi kishte dalë jashtë vijës fundore gati gjysmë metri. Mbrojtësit e lanë lojën, por sulmuesi i Burrelit e mori dhe e dërgoi në rrjetë. E vlerësojmë maksimalisht federatën, por “timonieri” e theu rregulloren ditën për diell para kamerave. Kemi rezervat tona për ekipin, që i diskutuam në analizë, por maskarada të tilla e mposhtin psikologjikisht.Besëlidhja nuk është Barcelona. Loja e saj u pa edhe javën e shkuar. Një gol i shtuar kundërshtarit dhe një i mohuar për ty, të shkatërrojnë nga çdo anë. Duhet të merren masa sa nuk është vonë. Do të luftojmë për objektivat tanë, duke shpresuar se komisionet në FSHF do ta kryejnë detyrën sipas rregullave. Kam besim te federata, ekipi e stafi teknik i Besëlidhjes”, u shpreh presidenti i skuadrës lezhjane, Gjok Gjoka. Në fundjavë vjen në Lezhë Dinamo dhe Besëlidhja ka shansin të kthehet te fitorja.