Presidenca sqaron pozicionin mbi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale
Presidenca sqaron pozicionin mbi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale
Institucioni i Presidencës reagoi sot në lidhje me nismën ligjore të propozuar nga Partia Socialiste, e cila synon ndryshimin e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale.
Në një përgjigje të bërë publike, Presidenca njoftoi se “Presidenti i Republikës nuk mund të prononcohet për nisma ligjore”. Më tej, institucioni sqaroi se shqyrtimi i nismave ligjore është kompetencë ekskluzive e Kuvendit. Presidenti e shpreh qëndrimin e tij vetëm pasi nismat shndërrohen në ligj dhe vetëm në përputhje me kompetencën që ka për shpalljen e ligjeve.
Reagimi i Presidencës vjen pasi Partia Socialiste, me propozues kryeministrin Edi Rama, kryetarin e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, dhe deputetin Ulsi Manja, propozoi ndryshime në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale. Këto ndryshime synojnë t'u heqin gjykatave mundësinë për të pezulluar nga detyra funksionarë të lartë shtetërorë, përfshirë Presidentin, Kryeministrin, anëtarët e Këshillit të Ministrave, Avokatin e Popullit dhe Kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit.