Rekamë

Disa orë pas ngjarjes që ka ndodhur tek Parku i Liqenit në Tiranë, ku u dëmtua memoriali në nderim të viktimave në grushtin e shtetit në Turqi, ka reaguar edhe ish-deputeti Eduart Ndocaj, i cili kujtojmë se përpara disa kohësh ka deklaruar se ai që do të bënte një veprim të tillë, do të merrte prej tij shumën prej 2000 eurosh.

Ndocaj shprehet se e përshëndet këtë “veprim të shqiptarëve të vërtetë të cilët me guximin e tyre të përligjur nga provokimi i ndjenjës kombëtare reaguan duke dëshmuar mosnëpërkëmbjen e identitetit kombëtar nga politika filoturke e Tiranës”.

Ai vijon më tej duke thënë se apelon prokurorinë të mos ndërmarrë asnjë proces ndaj autorëve duke e cilësuar vendosjen e memorialit si një provokim dhe cënim që u është bërë shqiptarëve, duke shtuar se në akuzë duhet thirrur “lejedhënësi”

Reagimi i plotë:

Të dashur bashkëpatriotët e mi!

Sot, teksa dëgjojmë përmes medias për aktin patriotik dhe civil të thyerjes së memorialit turk tek Kodrat e Liqenit, unë përmes këtij qëndrimi dua të përshëndes, këtë veprim të shqiptarëve të vërtetë, të cilët me guximin e tyre të përligjur nga provokimi i ndjenjës kombëtare reaguan duke dëshmuar mosnëpërkëmbjen e identitetit kombëtar nga politika filoturke e Tiranës.

Solidarizohem me ndjenjën dhe veprimin e tyre patriotik, si dhe apeloj policinë dhe Prokurorinë të mos ndërmarrë asnjë proces ndaj autorëv, sepse në kuptimin e plotë, autorët e atij akti janë të gjithë shqiptarët e vërtetë. Prandaj, u kërkoj këtyre instancave të qëndrojnë larg procedurave që akuzojnë individë të caktuar, si dhe ta trajtojnë rastin me prioritetin e një cënimi dhe provokimi që iu është bërë shqiptarëve, dhe të thërrasin nën akuzë lejedhënësin e memorialit!

Rroftë Shqipëria!

 Me respekt për shqiptarët e vërtetë që e duan Shqipërinë të lirë dhe sovrane!

Eduart Ndocaj

Kujtojmë se ish-deputeti, i njohur për publikun me nofkën “kaubojsi” ka dalë me një premtim të bujshëm, për prishjen e memorialit turk, që u vendos në Tiranë.

Gjatë një interviste, ish deputeti ka deklaruar se paguante 2000 euro për atë person që rrëzon memorialin.

“Unë kam vendos 200 euro kur e prish atë pllakë, jap dy mijë euro dhe noromalisht do të ruhet anonimiteti.”– u shpreh Ndocaj.