PREFEKTI, ZJARRE AKTIVE NË TË KATËR BASHKITË E QARKUT DIBËR

PREFEKTI, ZJARRE AKTIVE NË TË KATËR BASHKITË E QARKUT DIBËR

Qarku Dibër është ndër qarqet më të prekura nga zjarret këtë verë. Pas shuarjes së valës së parë të zjarreve nga reshjet e shiut, një valë e dytë zjarresh kanë përshirë të katër bashkitë e qarkut Dibër.

Prefekti i qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, duke folur rreth situatës së zjarreve aktive në këtë qark, thotë se për fat të mirë vala e dytë e zjarreve është jo aq e fuqishme sa e para, por ato vijojnë të jenë aktive në të katër Bashkitë. Ai rendit disa nga vatrat e zjarrit të shfaqura në qark, si në Arras, Luzni, Qafë Murrize, Tërnovë, Val të Martaneshit. Falë ndërhyrjes së shpejtë disa vatra janë izoluar e mbajtur nën kontroll. Ndaj Prefekti Shehu gjen rastin të falenderojë shërbimet zjarrfikëse të bashkive, punonjësit e zonave të mbrojtura AZDM dhe banorët e zonave që janë përfshirë me forca e mjete në shuarjen e flakëve.

Prefekti i qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, në fund të intervistës u bën thirrje edhe njëherë të gjithë qytetarëve që të bëjnë shumë kujdes me zjarrvëniet, pasi të dhënat janë që shumica prej tyre janë të qëllimshme. Po bashkëpunohet me policinë e shtetit në këtë drejtim që persona të tillë të identifikohen e të vihen menjëherë para ligjit.