Pas kronikës së transmetuar në Mat Televizion në lidhje me predhat e mbetura në sipërfaqe pranë tuneleve të Qafështamës, Ministria e Mbrojtjes është vënë në lëvizje.

Mësohet se një grup i Xhenios në Komandës Mbështetëse kanë qenë në terren për të parë situatën nga afër, duke larguar municionet luftarake që ndodheshin poshtë tuneleve të Selixës.
Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes ka nisur procedurat për të zhvilluar një kontroll me perimetër më të gjerë, edhe në shpatin e malit përballë ku dhe ndodhen disa predha të tjera.
Për këtë i është kërkuar Detashmentit të Mbështetjes Rajonale Burrel një kontroll përcaktues i zonës së ndotur nga municionet luftarake të cilat kanë përfunduar aty nga shpërtimi i 29 Prillit të vitit 1997, ku mbetën të vdekur 23 persona.
Pas këtij verifikimi, pritet që edhe me një kërkesë të Bashkisë së Matit, në zonë të shkojnë forcat xheniere të Ministrisë së Mbrojtjes për të pastruar zonën nga municionet e rrezikshme luftarake. Po ashtu, mësohet se terreni do të jetë në mbikqyrje të vazhdueshme nga policia ushtarake, për të mos lejuar gërmimin në të.