Home Blog Page 8

NUMRI I RI I GAZETËS “MATI” BOTUESI QEMAL CENAJ SJELL SHKRIME NGA AKTUALITETI, HISTORIA, KULTURA ETJ.

Gazeta “Mati” ka hedhur në qarkullim numrin e ri të saj, që përfshin një gamë të gjerë shkrimesh për periudhën shkurt-mars 2025. Botuar nga publicisti Qemal Cenaj, ky numër sjell reflektime mbi ngjarje nga historia, kultura, letërsia dhe aktualiteti, duke ndjellë lexuesin me materiale të pasura dhe të ndryshme. Titulli i ballinës është “Ta gëzojmë rrugën e Arbrit!”, ku pason me shkrim nga Fatmir Gjestila për lindjen e këngës që i dedikohet kësaj rruge të rëndësishme.

Në faqen e tretë të gazetës gjeni shkrime të veçanta për përvjetorin e 80-të të vrasjes së intelektualit matjan, Isuf Allamani, si dhe një pasqyrë të listës së kandidatëve për deputetë të qarkut Dibër. Po ashtu, në këtë faqe, akademiku Adem Bunguri shkruan për kontributin e arkeologut matjan Dilaver Kurti, një figurë e shquar e fushës.

Në faqen e gjashtë të gazetës është botuar një shkrim kushtuar mësuesit të letërsisë, Halit Çitozit, një njeri me shpirt krijues dhe kontribut të jashtëzakonshëm në arsimin shqiptar. Në faqen e shtatë, gazeta përfshin një homazh për Dr. Islam Sulën, nga kolegët e tij Dr. Nikoll Bushi dhe Dr. Qemal Kadiu. Po në këtë faqe, Zahide Noka sjell tregimin “Loja e çmendur”, një reflektim i thellë mbi jetën dhe shoqërinë.

Përveç shkrimeve mbi personalitetet e shquara dhe ngjarjet historike, numri i ri i gazetës sjell artikuj të tjerë interesantë si: “Një jetë në përkushtim të sportit të mundjes”, kushtuar sportistit Besnik Selita, dhe “Fshati i lashtë Gjoçaj, i braktisur nga njerëzit, por që ruan thesare historike”. Shkrime të tjera si “Arritjet e shkollës “Pjetër Budi” dhe “Shtegtar në vepra shpirtin të lidhur me Uzinën dhe Matin”, pasurojnë numrin e ri të gazetës Mati. Në faqen letrare, gazetën e pasojnë poezi dhe tregime të ndryshme. Cikli i poezive “Dueli i poetit” dhe reportazhi i Hamdi Hysukës për mirëpritjen e Unionit të gazetarëve shqiptarë në Preshevë dhe Pejë janë disa nga kontribuesit e kësaj faqeje. Gazeta përmbyllet me shkrimin “Një jetë në dy epoka”, kushtuar mjekut Dalip Gjoka, njëherazi administrator ligjor i QDMD “Mati”.           

Homeshi, fshati me vila të bukura, por të boshatisura

Shumë fshatra në qarkun e Dibrës i gjen me ndërtesa të rrënuara për shkak të braktisjes masive nga ana e banorëve prej vitesh. Por ndryshe është situata në fshatin Homesh të Njësisë Administrative Shupenzë në Bashkinë Bulqizë. Në këtë fshat shumë shtëpi janë ndërtuar krejtësisht të reja, madje edhe vila dhe shumë pak ka banesa të cilat janë rrënuar. Por kjo nuk ndryshon asgjë sa i përket largimit të banorëve. Vilat e bukura, që janë ndërtuar nga emigrantët, qëndrojnë bosh, pasi askush nuk jeton në to. Ato pak banorë të mbetur ende në fshatin Homesh janë të moshës së tretë dhe jetojnë pa fëmijët e tyre. Dikur fshati kishte me qindra fëmijë e të rinj, por sot është kthyer si një fshat azilantësh. Të moshuarit e mbetur ende në fshat i kanë humbur shpresat për rikthimin e atyre banorëve që janë larguar në emigracion.

Ndryshe nga shumë fshatra të tjerë në Bulqizë, Homeshi ndodhet pranë rrugës nacionale Bulqizë – Peshkopi, por mungesa për të ndërtuar të ardhmen në vendlindjen e tyre, ka bërë që të rinjtë por jo vetëm, ta braktisin fshatin.

Futboll / Nesër Burreli luan sfidë të vështirë ndaj Flamurtarit të Vlorës në “Liri Ballabani”

0

Ndeshja e javës së 30 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll ka rivënë përballë ekipin e Burrelit dhe atë të Flamurtarit të Vlorës. Përballja mes këtyre dy skuadrave do të jetë jo vetëm për pikët që i duhen secilës, por edhe për faktin se trajneri i ekipit matjan ka qenë më parë pjesë e stafit drejtues të ekipit vlonjat. Ky rivalitet pritet të reflektohet edhe në fushën e gjelbër të stadiumit “Liri Ballabani”, të dielën e 30 Marsit, në orën 14:00.

Ndërkohë, skuadra e drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj ka zhvilluar rregullisht gjatë javës seancat stërvitore të cilat i ka mbyllur me udhëzimet e fundit të marra këtë të shtunë nga stafi teknik.

Kjo do të jetë përballja e tretë mes këtyre dy ekipeve për sezonin 2024 – 2025. Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave është luajtur me 25 Gusht të vitit të kaluar në vlorë ku Burreli fitoi me rezultatin 2 me 1 ndaj Flamurtarit. Ndërkohë, përballja tjetër është zhvilluar me 10 Nëntor po të vitit të kaluar në fushën matjane ku të dyja skuadrat morën nga një pikë pasi ndeshja përfundoi barazim 1 me 1.

Këto do të jenë arsyet për një rivalitet të fortë në ndeshjen e nesërme edhe për faktin se vlonjatët kërkojnë kreun e kategorisë së parë që mbahet nga Vora, ndërsa Burreli kërkon vendin e tretë.

Protestat masive “pushtojnë” Turqinë pas burgosjes së Imamoglu/ Ekonomia në rënie, humbje të mëdha në kapitale

0

Protestat godasin rëndë ekonominë turke pas burgosjes së kryebashkiakut të Stambollit! Turizmi, një nga industritë më të rëndësishme, a do të preket prej tyre? Që pas burgosjes së kryetarit të bashkisë së Stambollit Imamoglu, tregjet e aksioneve dhe monedha turke kanë shënuar rënie. Po turizmi, një nga industritë më të rëndësishme në Turqi, a do të preket prej tyre?

Lajmi për arrestimin e rivalit të Erdoganit, Ekrem Imamoglu, shkaktoi humbje të mëdha në tregjet turke të kapitalit. Besimi i shumë investitorëve në vend me sa duket u trondit. Kjo çoi në javën më të dobët në tregun e aksioneve që nga kriza globale financiare e vitit 2008: indeksi i aksioneve ISE 100 humbi përkohësisht më shumë se 16 për qind të vlerës së tij.

Si përgjigje Enti Rregullator i Tregut të Kapitalit në Turqi ndaloi shitjet e shkurtra dhe bastet dhe spekulimet për të penguar një rënie të mëtejshme të çmimeve. Në të njëjtën kohë ky ent lehtësoi blerjet e aksioneve në mënyrë që të mbështeteshin çmimet e aksioneve në rënie. Megjithëse indeksi u rrit për një periudhë të shkurtër me rreth dy për qind, ai kaloi përsëri në minus dhe arriti nivelin më të ulët që nga nëntori.

Vëzhguesit janë të mendimit se ky zhvillim mund të bëhet një problem i madh për Erdoganin. Vitet e fundit investitorët turq kishin investuar në bursë për të mbrojtur pasuritë e tyre nga inflacioni i lartë, i cili në mars ishte rreth 39 për qind.

A do të ketë pasoja për turizmin?

Një nga industritë më të rëndësishme në Turqi është turizmi. Në këtë fushë pasiguria për gjendjen në Turqi mund të ketë ndikimin më të dukshëm. Dirk Schmücker, drejtor shkencor në institutin NIT (New Insights for Tourism) në Kiel, beson se pasojat mund të shihen edhe në plazhet e Mesdheut. Megjithatë “se deri në cilin nivel është e paqartë dhe nuk duhet mbivlerësuar”, tha ai për DW. “Sa i përket arrestimit aktual, kjo nuk është hera e parë që qeveria turke sillet ndryshe nga sa jemi mësuar nga shumica e qeverive evropiane.”

Marco A. Gardini, profesor në Fakultetin e Menaxhimit të Turizmit në Universitetin e Shkencave të Aplikuara Kempten, thotë se arrestimi i kryebashkiakut ka “rëndësi të lartë për qarqet ndërkombëtare politike dhe diplomatike”. Por për shumë “turistë që kanë zgjedhur Turqinë si destinacion, kjo ngjarje do të ketë pak ndikim, sepse sot ka shumë pak turistë që e shmangin Turqinë si destinacion udhëtimi për shkak të Erdoganit dhe politikave të tij./DW

31 vite në kërkim të djalit, historia e trishtë e dy prindërve nga Homeshi i Bulqizës

  Prej 31 vitesh prindërit Tofik e Lirie Meta, nga fshati Homesh i Shupenzës në bashkinë Bulqizë, janë në kërkim të djalit të tyre. Ylberi ishte vetëm 16 vjeç para 3 dekadash kur mori rrugët e emigrimit. Ai është nisur bashkë me një mik të familjes drejt shtetit fqinj të Greqisë, por humbi kontaktet vetëm pak kohë pasi kishte arritur në Selanik. Mes dhimbjes së madhe të humbjes së birit të tij, i ati Tofiku thotë se prej më shumë se që prej vitit 1994 nuk mori vesh më asgjë për djalin e tij.

Mes lotësh në sy e me foton e djalit në dorë, nëna e Ylberit ka një apel të madh për të gjithë shqiptarët që jetojnë në shtetin grek e sidomos për ata që jetojnë në zonën e Selanikut ku mendohet se Ylberi jetoi për disa kohë. Ajo kërkon të zbulohet nëse djali i saj, që sot duhet të jetë rreth 47 vjeç, është gjallë apo jo.

 Megjithëse kanë kaluar kaq shumë vite, prindërit e Ylber Metës shpresojnë ende të marrin një lajm të mirë për djalin e tyre.

Burrel – Skuraj, rruga e rrezikshme për shkak të deformimit të trasesë

 Aksi rrugor nacional Burrel – Skuraj, prej 36 kilometrash, vijon të mbetet një nga akset më problematike në të gjithë Qarkun Dibër, por jo vetëm. Në këtë rrugë nuk është bërë investim i mirëfilltë që prej ndërtimit të saj, ndërsa me interval të ndryshme janë mbushur gropa apo janë riparuar pjesë të papërfillshme.

Situata mbetet shqetësuese kryesisht në segmentin nga qyteti i Burrelit deri tek Ura e Ulzës. Kjo për shkak të deformimit të madh që ka pësuar traseja. Kjo gjë vihet re që në vendin e quajtur “Pularia” vetëm 2 kilometra larg qytetit të Burrelit.

Siç duket nga pamjet, deformimi i rrugës është aq i madh saqë nëse nuk je i informuar më parë, drejtuesi i automjetit mund të humbasë kontrollin.

Si kjo pjesë, janë edhe shumë pjesë të tjera të kësaj rruge, të paktën deri tek ura e Ulzës. Vazhdimisht ekspertët e rrugëve kanë kërkuar që për këtë aks të mos lëvrohen fonde mirëmbajtje rutinë, pasi nuk e zgjidhin aspak problemin me gropat që mbushen jashtë çdo lloj standardi.

Ata propozojnë që rruga t’i nënshtrohet një rehabilitimi të plotë, siç është bërë me segmentin tjetër të rrugës nacionale Peshkopi – Skuraj, nga Klosi në Burrel.

Klos, shtëpia që mbeti mes dy rrugëve

  Që kur u ndërtua rruga që do të lidhte Matin nga fshati Fshat me rrugën e Arbrit, shtëpia e familjes Cakoni mbeti mes dy rrugëve hyrëse dhe dalëse për automjetet. E zonja e shtëpisë, Mane Cakoni thotë se askush nuk mbajti përgjegjësi për këtë rrethim banese nga rrugët automobilistike dhe se nuk ju është dhënë një zgjidhje për të lëvizur nga aty. Ajo thotë se në vend që shteti apo kompania ta dëmshpërblenin e ta largonin nga aty, janë mjaftuar duke i thënë se ne nuk po ta prishim banesën apo nuk po të cënojmë pronën. Mane Cakoni akuzon kompaninë që ka ndërtuar rrugën e Arbrit dhe Ministrinë e Inrfrastrukturës dhe Energjisë të cilët e kanë lënë në këtë hall të madh dhe rrezik për jetët e familjarëve në çdo moment nga makinat.

Mane Cakoni u bën apel institucioneve përgjegjëse të shetit shqiptar, të ndërhyjnë për ta zgjidhur problemin e saj, pasi jeta e të gjithë familjarëve është në rrezik të madh nga të dy rrugët që i kanë rrethuar banesën.

Futboll / Burreli i rrëmben një pikë Besës, matjanët vijojnë me rezultate pozitive

0

Janë zhvilluar këtë të mërkurë një pjesë e ndeshjeve të javës së 29 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Skuadra e Burrelit luajti në transfertë ndaj Besës së Kavajës, ndeshje e cila u zhvilluar në fushën e stadiumit “Arena e demave” të kompleksit Partizani në Tiranë.

Takimi, i cili ishte parashikuar i vështirë, nuk prodhoi fitues, ku në fund të dyja skuadrat ndanë nga një pikë. Asnjëri nga ekipet nuk arriti të shënonte në portat kundërshtare, ndërsa loja është shoqëruar me nervozizëm, ç’ka e tregojnë edhe numri i lartë i kartonave të verdhë si dhe një kartoni të kuq. Megjithatë, në fund më të fituar dolën matjanët, të cilët ngushtuan diferencën ndaj skuadrës kavajase. Kjo e fundit gjendet aktualisht në vendin e 3 me 61 pikë, ndërsa Burreli në vendin e katërt me 51 pikë.

Vendi i parë në kategorinë e parë vijon të mbahet nga Vora e ndjekur nga Flamurtari, skuadra të cilat kalojnë automatikisht në kategorinë superiore. Ndërkohë, pa shpresë për t’i mbijetuar rënies në kategorinë e dytë janë ekipi i Valbonës së Tropojës dhe ai i Erzenit të Shijakut të cilët kanë përkatësisht nga 16 dhe 11 pikë.

Mbledhja e prefektit me drejtuesit e institucioneve për sigurinë në shkolla

   Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu mblodhi këtë të mërkurë organin këshillues pranë institucionit që drejton për sigurinë në shkolla. Në këtë mbledhje morën pjesë drejtues të zyrave vendore të arsimit në katër bashkitë e qarkut, përfaqësues të arsimit në bashki, nënprefektët e Matit dhe Bulqizës, Hasan Pasha e Avni Muliu, drejtuesit e policisë në qark etj. Prefekti Nexhbedin Shehu tha se është bërë një analizë e situatës në përgjithësi në të gjitha shkollat e qarkut Dibër, ndërsa është evidentuar rasti i pak javëve më parë në shkollën e mesme të Bashkuar “Gjergj Kastrioti” në Baz. Prefekti listoi edhe disa problematika të tjera, të cilat u lanë detyrë që të zgjidhen sa më parë nga institucionet vendore.

Siguria në shkolla mbetet një nga sfidat e vazhdueshme të institucioneve qëndrore por edhe atyre vendore, për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur kohët e fundit mes adoleshentëve.

Mbyllet protesta e minatorëve, arrihet marrëveshje me kompaninë turke

Minatorët e minierës më të madhe në Bulqizë, e cila administrohet nga kompania turke “Yildirim Holding”, kanë mbyllur protestën e tyre pas 3 javësh bojkot të punës.

Minatorët, të cilët ishin angazhuar në protestë që prej fillimit të muajit Mars, thanë se një ditë më parë kanë rënë në një marrëveshje me kompaninë turke, e cila ju ka plotësuar disa nga kërkesat.

Mësohet se nga 15% rritje page, është rënë dakord që për këtë vit, kompania të bëjë një rritje prej 5% dhe pjesën tjetër të rritet vitin e ardhshëm. Po ashtu, është rënë dakord që puna të vijojë si më parë me dy ditë pushim në fundjavë, të shtunën dhe të dielën, ndryshe nga kërkesa e kompanisë që të punohej edhe ditët e shtuna.

Kërkesat e minatorëve janë arritur të pranohen pas një sërë negociatash që zhvilluan përfaqësuesit e kompanisë turke me një përfaqësi të minatorëve.

Kujtojmë se protesta e minatorëve të Bulqizës nisi në fillim të këtij muaji, pasi kompania turke “Yildirim Holding”, sipas protestuesve, kishte shkelur kontratën e punës. Kjo protestë erdhi pas shumë vitesh që në qytetin e minatorëve, Bulqizë, nuk zhvillohej asnjë protestë nga ana e punëtorëve të nëntokës për shkak edhe të braktisjes nga sindikatat.