Home Blog Page 4

VOTË 2025/Nis dërgimi i fletëve të votimit për votuesit e qarkut Dibër dhe Berat që jetojnë jashtë vendit

KQZ bën me dije se ka nisur sot zyrtarisht procesi i dërgimit të dokumentacionit zgjedhor për zgjedhësit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, të regjistruar në qarqet Dibër dhe Berat, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Shqipëri.

Sipas raportimit të gazetarit Ergys Gjençaj operatori i shërbimit postar do të vijojë çdo mëngjes me dërgimin e fletëve të votimit dhe materialeve të tjera të nevojshme, në përputhje me ritmin e përgatitjes së tyre nga administrata zgjedhore. Dërgesat do të kryhen në mënyrë të përditshme, për të garantuar që çdo qytetar me të drejtë vote jashtë vendit të ketë mundësinë të marrë pjesë në zgjedhje.

Nesër në “Liri Ballabani”, Burreli vs Valbona

0

  Të dielën e 13 Prillit do të luhen ndeshjet e javës së 32 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Matjanët presin në shtëpinë e tyre ekipin e Valbonës së Tropojës, një skuadër e cila mban aktualisht vendin e parafundit në renditjen e përgjithshme si dhe bashkë me Erzenin vitin tjetër do të luajnë në kategorinë e dytë.

Megjithatë, tekniku Ditmar Bicaj ka udhëzuar skuadrën e tij që të mos e neglizhojë për asnjë moment kundërshtarin pavarësisht ecurisë së tij në këtë kampionat dhe vendit në të cilin ndodhet aktualisht.

Ndërkohë, ekipi ka zhvilluar të gjitha seancat stërvitore dhe këtë të shtunë i ka mbyllur ato me udhëzime konkrete. Aktualisht ekipi matjan pozicionohet në vendin e 4 me 52 pikë në 31 ndeshje të luajtura, ndjekur nga Pogradeci i vendit të pestë me 46 pikë. Sakaq, ekipi i Valbonës ka mundur të mbledhë vetëm 16 pikë në 31 javë kampionat dhe ndodhet në vendin e 11.

Të 12 skuadrat e kategorisë së parë do të zbresin në fushë nesër në orën 15:00 për të mbyllur javën e 32 të kampionatit me përballjet Flamurtari – Erzeni, Besa – Vora, Burreli – Valbona, Pogradeci – Kukësi, Kastrioti – Apolonia dhe Lushnja – Korabi.

Ulja e vlerës së kartonit jeshil në MV, dynden qytetarët e Dibrës dhe Bulqizës

Ulja e vlerës së kartonit jeshil apo siguracionit ndërkombëtar të automjeteve nga ana e shtetit të Maqedonisë së Veriut duket se ka dhënë efekt të menjëhershëm. Këtë fundjavë radha e automjeteve që hynin e dilnin nga shteti fqinj nëpërmjet pikës së kalimit në Bllatë të Maqellarës ishte kilometrike.

Vargu i automjeteve shumë i gjatë në kufi sipas drejtuesve të automjeteve është nga efekti i uljes së vlerës së policës së sigurimit ndërkombëtarë me shtetin fqinj në vlerën e 50 eurove në vit.

Qytetarët e Dibrës dhe Bulqizës shfrytëzojnë Maqedoninë e Veriut për të furnizuar automjetet me karburant pasi atje një litër naftë është të paktën 50 lekë më lirë se në vendin tonë.

Një tjetër arsye që gjatë fundjavës ka dyndje të qytetarëve është edhe çmimet e ulta të produkteve të konsumit të përditshëm.

Që prej vitit 2022, banorët e Dibrës dhe Bulqizës i furnizojnë vazhdimisht automjetet e tyre me karburant në Maqedoninë e Veriut për shkak të çmimit shumë të ulët. Rritja e çmimit të karburanteve në vendin tonë me pretekstin e nisjes së luftës në Ukrainë, nuk po shkon më në nivelin ku ishte para se të niste lufta mes Rusisë dhe Ukrainës.

Fshati Orzhanovë, 35 pritje për vetëm 300m rrugë

  Fshati Orzhanovë, në Njësinë Administrative Ostren në Bulqizë, është ndër fshatrat e pakët që nuk ka një rrugë automobilistike deri tek banesat. Mjetet ndalojnë në hyrje të fshatit tek varrezat, vend i cili njihet edhe si parkimi i Orzhanovës. Banorët e mbetur në këtë fshat shprehen se prej 35 vitesh, kërkesa e vetme e tyre ka qenë rruga që të ndërtohet edhe brenda fshatit. Janë vetëm 300 metra lineare rrugë e cila duhet hapur që banorët e Orzhanovës të shkojnë me automjet tek shtëpitë e tyre apo të mbartin materiale të ndryshme. Banorët thonë se deri tani kanë marrë vetëm premtime boshe dhe se askush nuk ka bërë të mundur zgjidhjen e problemit. Për mungesë të rrugës, banorët thonë se problem më madhor ka qenë e vazhdon të jetë transportimi i të sëmurëve.

Në mungesë të rrugës automobilistike, banorët e Orzhanovës thonë se ende vijojnë t’i punojnë tokat me kafshë pune, si para viteve 90-të.

Banorët e fshatit Orzhanovë, në Njësinë Administrative Ostren, në Bulqizë, i kërkojnë pushtetit vendor që të zgjidhet problemi i rrugës, pasi të rinjtë po largohen çdo ditë edhe për këtë arsye.

Bypassi i Murrizit del jashtë funksioni, inertet mbushin asfaltin

  Që prej datës 14 Mars, kur u hap për qarkullim tuneli i Murrizit, bypassi i kësaj rruge ka dalë thuajse totalisht jashtë funksionit. Të vetmit përdorues ka banorët e disa lagjeve të fshatit Xibër – Murrize, por edhe ata që duan të kalojnë kohë në natyrë në vendin e quajtur “Qafa e Murrizes”. Gjatë një muaji afërsisht që nuk përdoret më bypassi i Murrizit, rruga nuk ka patur asnjë lloj mirëmbajtje dhe këtë e tregojnë gurët e rënë aty që sa vijnë e mbushin asfaltin. Të paktët drejtues mjetesh që e përdorin ende këtë rrugë kërkojnë që ajo të vijojë të mirëmbahet pasi mund të ketë raste emergjence në tunelin e Murrizit dhe qarkullimi i automjeteve devijohet nëpërmjet bypassit për të mos penguar lëvizjen normale të qytetarëve.

Sipas përdoruesve të bajpasit të Murrizit, mosmirëmbajtja periodike e kësaj rruge mund të çojë në degradimin total të saj dhe të bëhet e pakalueshme qoftë për banorët e Xibër Murrizes e qoftë për ata që duan ta përdorin për shkak të shijimit të natyrës dhe peizazhit që piktoresk që ky vend ofron.

Firma mirëmbajtëse Ura e Matit – Rrëshen nuk duket askund, kontrata i mbaron pas një jave

  Situata në rrugën nacionale Ura e Matit  – Rrëshen vijon të mbetet e njëjtë pasi edhe pse ka një firmë mirëmbajtëse, gjendja paraqitet e degraduar. Sipas përdoruesve të kësaj rruge, Kompania “Shehu” shpk nuk duket askund për të mbushur gropat e hapura në këtë aks rrugor apo për të ndaluar dëmtimin e mëtejshëm të këmbës së urës në vendin e quajtur “Sukbull”.

Siç duket nga pamjet, vetëm disa shiritë janë vendosur mbi zgavrën e hapur në hyrjen lindore të urës dhe asgjë më shumë. Ndonëse gjendja e saj është e tillë prej kohësh, asnjë masë nuk është marrë nga kontraktori për mirëmbajtje.

Ashtu si ura që ndan Matin me Mirditën edhe kjo urë rrezikon të shembet nëse nuk ndërhyhet në kohë ku për specialistët kostoja e ndërhyrjes do të jetë shumë më e lartë se sa tani.

Drejtues të drejtorisë së mirëmbajtjes pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar i thanë “Mat Televizion” se janë marrë masa ndaj kompanisë në fjalë dhe se pas një jave rruga do t’i kalojë për mirëmbajtje një tjetër kompanie.

Po ashtu, ARRSH thotë se do t’i kërkojë kompanisë së re që do të nisë mirëmbajtjen e këtij aksi javën e ardhshme, që të bëjë ndërhyrje të menjëhershme jo vetëm tek urat që janë në rrezik, por edhe në trase dhe ta bëjë atë lehtësisht të kalueshme.

Tymi në tunelin e Murrizit, denoncimi i qytetarëve

Hapja për qarkullimin e të gjitha automjeteve në tunelin e Murrizit pjesë e rrugës së Arbrit ishte një lehtësi e madh për të gjithë qytetarët që duan të lëvizin drejt Qarkut Dibër apo kryeqytetit.

Por ajo që mbetet shqetësuese është prania e tymërave në brendësi të tunelit.

Qytetarët denoncojnë se vetëm një pjesë e vogël e ventilatorëve që pastrojnë ajrin vendosen në punë, ndërsa pjesa tjetër qëndrojnë të fikur. Në mungesë të sistemit të plotë të ajrosjes, në brendësi të tnuelit akumulohet tym i krijuar nga gazrat e automjeteve që kalojnë gjatë gjithë kohës.

Në një video të dërguar nga qytetarët shihet se në mesin e tunelit pamja është e turbullt për shkak të tymit që është akumuluar nga djegia e karburantit të automjeteve, por edhe nga kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë me ngarkesë asfaltike që po përdoret për shtrimin e rrugës së fshatit Gurë i Bardhë në Bashkinë e Klosit.

Temperaturat e ulta të ditëve të fundit, Pjeçi: pasoja të rënda në frutikulturë

Temperaturat e ulta të tre ditëve të para të kësaj jave kanë shkaktuar dëme të mëdha në frutikulturë edhe në rrethin e Matit. përgjegjësi i Ekstensionit të Bujqësisë Mat, Dritan Pjeçi, në një intervistë për Mat Televizion tha se pasojat kanë qenë të shumta tek pemët frutore. Sipas tij, më e dëmtuar është lugina e Matit për shkak edhe të lagështisë që ka dhe vetë si zonë gjatë kësaj periudhe. Rënia e temperaturave disa gradë nën zero ka dëmtuar pemët frutore si qershinë, mollën, kombullën, ftoin etj.

Pjeçi tha gjithashtu se janë bërë të gjitha verifikimet në terren duke u evidentuar fermat më të dëmtuara. Megjithatë, sipas tij, deri tani nuk dihen dëmet e sakta pasi kjo do të kostatohet në ditët në vijim me rritjen e temperaturave.

Edhe pas 5 ditësh, Ostreni nën “pushtetin” e borës dhe ngricës

  Dëbora e rënë të dielën e javës së kaluar vijon të jetë ende prezente në zonat e thella malore të Bulqizës. Në fshatin Ostren i Madh të zonës së Gollobordës, ka ende prezencë të dëborës gërshetuar me gjelbërimin pranveror që kishte nisur. Por banorët janë të shqetësuar për dëmet e mëdha që i janë shkaktuar bujqësisë e kryesisht frutikulturës. Ata shprehen se temperaturat gjatë natës kanë zbritur deri në minus 7 gradë Celsius duke lënë pasoja të rënda në frutikulturë.

Qani Muça me profesion specialist bujqësie konfirmon se dëmet janë shumë të mëdha nga ngricat gjatë natës. Fakti shqetësues sipas tij është se askush nga institucionet nuk është parë në fshat për tu interesuar për dëmet që ju janë shkaktuar fermerëve. Muça shton se më të dëmtuara janë qershitë, kumbullat, dardhat etj.

Për shkak të temperaturave të ulta, banorët e Ostrenit të Madh thonë se dëmet do të rriten akoma më shumë në ditët në vijim.

RRUGA NACIONALE URA E ÇERENECIT-URA E TOPOJANIT, DREJT DEGRADIMIT

  Rruga nacionale nga ura e Çerenecit – Ura e Topojanit, që përfshin fshatrat e njësisë Shupenzë, në Bashkinë Bulqizë, po shkon drej degradimit. Ky segment rrugor, sa herë të ketë reshje shiu, dëmtohet duke shfaqur gropa të shumta. Edhe pse firma mirëmbajtëse ndërhyn herë pas here për mbushjen e gropave me asfalt apo zhavor, problematika rikthehet sërish, duke e bërë këtë aks të rrezikshëm për qarkullim.

Tjetër problem i kësaj rruge është vërshimi i ujërave të zeza e të bardha në karrexhatë, duke u bërë problem për banorët e lagjes që përshkon aksi. Një nga banorët e zonës, thotë se ka më shumë se 12 muaj që uji vërshon kështu në rrugë, duke fajësuar firmën mirëmbajtëse për mosndërhyrje. Por kjo e fundit fajin e hedh tek njëra nga familjet që përshkon ky aks, që sipas saj ka bllokuar rrjetin e kanalizimit.

Sipas banorëve, përzierja e ujit të vaditjes me ujërat e zeza po ndot mjedisin dhe po dëmton prodhimet bujqësore në zonë. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe të qëndrueshme për këtë segment rrugor që është jetik për lëvizjen dhe ekonominë e tyre.