Home Blog Page 3

Shtushaj, fshatit po i  helmohen qent, banorët në alarm

  Me një situatë të pazakontë po përballen vitet e fundit banorët e fshatit Shtushaj në Njësinë Administrative Shupenzë në Bashkinë e Bulqizës. Qentë që ata i mbajnë në shtëpi, po ju ngrodhin në mënyrë të çuditshme. Banorët tregojnë se sa herë i lëshojnë qentë shtëpiakë, i gjejnë të ngordhur në ara apo rrugë. Prej 8 vitesh ky fenomen është prezent në këtë fshat sa në ditët e fundit numri i qenve që kanë banorët është vetëm tre. Ata tregojnë se sapo qenin e lëshojnë gjatë natës apo kur largohet vetë nga shtëpia, i gjejnë të ngordhur. Rastet e fundit kanë qenë të çuditshme teksa qent dridheshin në momentet e fundit të jetës. Banorët kërkojnë që policia të hetojë ngjarjen dhe të vërë para drejtësisë autorin apo autorët e helmimit të qenëve. Frika më e madhe për banorët është se mos fëmijët biejnë në kontakt me helmet që vendosen vend e pa vend.

 Vetë banorët nuk kanë ndonjë person të dyshuar, ndërsa dyshojnë se kjo mund të bëhet për qëllime të veçanta siç mund të jenë planifiket për vjedhje banesash dhe bagëtish.

Situata nga virozat stinore normale, mjekja Kurti: kujdes ndaj alergjive

Luhatjet e shpeshta të temperaturave kanë bërë që të ketë një shtim të lehtë të rasteve të fëmijëve të prekur nga rrugët respiratore në Mat. mjekja pediatre pranë spitalit “Xhavit Mara” në Burrel, Marsida Kurti tha se situata është brenda normales dhe se deri tani kanë qenë 10 – 15 raste në 24 orë, çka nuk e bën situatën shqetësuese dhe të papërballueshme nga ana e repartit të pediatrisë.

Nga ana tjetër mjekja pediatre Marsida Kurti tha se me nisjen zyrtarisht të sezonit të luleve, nisin edhe alergjitë. Por në disa raste mund të ketë mbivendosje të simptomave, gjë të cilën mund ta dallojë vetëm mjeku specialist.

Mjekja pediatre pranë Spitalit Bashkiak Mat, Marsida Kurti këshillon që të bëhet kujdes në kohën e ekspozimit në vende ku është mundësia e prekjes nga alergjitë.

KRYEMINISTRI RAMA NË BURREL PREMTON RRITJE PENSIONESH, BONUS PËR BEBET, PUNËSIM DHE NË 2030-BE

Kryeministri Edi Rama, këtë të enjte është ndalur në Burrel, në kuadër të fushatës elekorale për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, ku ka prezantuar paketat sociale që qeveria shqiptare ofron. Kreu i qeverisë tha se gjatë viteve të fundit, Burreli është kthyer në një nga zonat më të kërkuara duke nënvizuar se ka një program ambicioz për strehimin.

Rama: Kjo zonë ka malet dhe ka pyjet e mahnitshme…Ky qytet nuk njihet më në krahasim se me çfarë ishte. Burreli është kthyer në një nga zonat më të kërkuara. Kam shumë besim që do të kemi një impakt të rëndësishëm me programin e strehimit social.

Rama u ndal te politikat sociale që ka qeveria në rast se do të fitojë mandatin e katërt më 11 maj. Synimi kryesor është që pensioni minimal të shkojë 200 euro, ndërsa ai mesatari në 400 euro.

Rama: Nuk përmenden që ka pensione që janë 500 mijë lekë. Ndërkohë që të tjerët për të njëjtat vite punë, për të njëjtën punë, që ka dalë në pension përpara reformës marrin pension 200 mijë lekë. Pse? Sepse nuk u bë politikë pensionesh. U bë çmenduri. U nxorën njerëzit në pension që 40 vjeç. U vu një tavan, nuk kishte më rëndësi për sigurime shoqërore. Këta që janë në shtresën, kategorinë e viktimave të këtyre madhështorëve. Të ketë pasur Naltmadhninë dhe të votosh Kujtim Gjuzin. Ata e bënë këtë. Bonuset janë rritur në mënyrë të ndjeshme. Kemi dhënë 160 mln euro, cash për pensionistët. Nuk janë pak për këtë shtet, por as shumë për ta. Do synojmë që pensionin minimal ta çojmë 200 euro dhe mestararin 400 euro. Në fund të ditës kjo është një histori lekësh.

Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama nga Burreli deklaroi se rruga e re e Arbrit jo vetëm ka përmirësuar jetën e banorëve të zonës, por ka rritur vlerën e pronës.

“Me rrugën e Arbrit, një lidhje e shkurtër me Tiranën me transformimet në qytet dhe natyrën e jashtëzakonshme që ka përreth nuk është e ekzagjeruar që të imagjinosh që në 5-6 vjet, kjo zonë do të jetë një nga zonat më të kërkuara të kryeqytetit. Duket si fantazi por nuk është fare”, tha Rama.

Gjatë takimit në Burrel lideri i mazhorancës Edi Rama pranoi problemin e pensioneve të ulëta, duke shpjeguar se Partia Demokratike në qeverisje nuk hartoi politika për pensionet, për më tepër PD vendosi edhe rregulla që nuk lejonin marrjen e një pensioni më të lartë se 200 euro.

“Megjithatë ne jemi munduar të kompensojmë me bonuset, vetëm dhjetor dhe shkurt kemi dhënë 160 milionë euro për pensionistet, do të synojmë që pensioni minimal ta çojmë drejt 200 euro, ndërkohë mesatarin ta çojmë tek 400 euro”, tha Rama.

Kryeministri premtoi një politikë të re për nxitjen e punësimit, veçanërisht për vajzat e gratë. Sipas Ramës edhe programi i bonusit të bebes do të rikonceptohet dhe do të aplikohen pagesa mujore e kush ka më shumë fëmijë do të marrë ndihmë më të madhe.

Por premtimi kryesor i Edi Ramës dhe Partisë Socialiste është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian në vitin 2030.

“Këto zgjedhje janë; a je  për ta futur Shqipërinë në BE në 2030 apo s’je. Dikush mund të thotë jam unë por jo me Edi Ramen. Nuk bëhet. Është e thjeshtë, nuk bëhet”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama ka premtuar në këtë fushatë elektorale përfundimin e negociatave në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE në vitin 2030.

5 vite në pritje të ndërtimit të shtëpisë, familje Kola në Shkopet ende pa banesë

  Familja Kola, nga fshati Shkopet i Bashkisë Kurbin, prej 5 vitesh është në pritje të ndërtimit të banesës së tyre pas dy fatkeqësive që kaluan. Herën e parë banesa e tyre u dëmtua nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019, ndërsa më pas ajo u përfshi nga flakët. Dy bashkëshortët e kësaj familjeje, Gjergj e Dile Kola thonë se prej 5 vitesh po sorollaten sa në një ambjent në një tjetër, ndërsa shtëpia që ka nisur tju ndërtohet me fondet e tërmetit ende nuk ka përfunduar. Gjergji tregon se në kontaktet që ka patur me pushtetin vendor në Kurbin i është thënë që vitin e ri do ta kalonte në banesën e re, por kjo gjë nuk ndodhi e tashmë kanë kaluar më shumë se tre muaj.

Ndërsa e zonja e shtëpisë, Dile Kola thotë se vuan nga një sërë sëmundjesh, duke jetuar në ambjente të papërshtatshme. Ajo iu bën apel institucioneve që punën e nisur ta përfundojnë sa më parë.

Për shkak të dëmtimit të banesës një pjesë e familjes janë zhvendosur me qera në Milot e Laç, ndërsa presin përfundimin e shtëpisë së re për tu rikthyer aty.

Të moshuarit, skeptik për rikthimin e të larguarve nga fshatrat

  Të gjesh vetëm të moshuar në fshatrat e Qarkut Dibër tashmë është kthyer në diçka normale pas braktisjes masive që ju është bërë jo vetëm nga të rinjtë por edhe banorë të tjerë. Në Maqellarë, takojmë Pëllumb Gjonin, i cili është i vetëm në hapsirën mes banesave të braktisura. 79-vjeçari është skeptik për ata të cilët janë larguar ndër vite që do të rikthehen një ditë. Sipas Pëllumbit, shkaqet e largimit të tyre janë të qarta nga mungesa e ndërtimit të jetës këtu, në çmimet e larta e deri tek mosrritja e pensioneve për të përballuar jetesën.

  Nga ana tjetër, 79-vjeçari Pëllumb Gjoni thotë se dikur lagjja e tij kishte mbi 400 banorë, ndërsa sot nuk kanë mbetur më shumë se 20% e tyre, ku dhe ato janë të gjithë të moshuar.

“Mulliri i Allamanit” pa punë që prej nëntorit të vitit të kaluar, shkak mungesa e ujit

  Mulliri me ujë i “Allamanit”, në fshatin Skënderaj të Njësisë administrative Suç në Bashkinë e Klosit, është ndër të paktët në llojin e tij që është ende në gjendje funksionale. Që prej vitit 90-të, në këtë mulli, thotë administratori i tij, Hashimi, kanë bluar drithëra banorët e Matit, që nga Derjani e deri në Gurë të Bardhë, por prej të paktën 6 muajsh ky mulli bloje nuk është vënë në punë nga mungesa e ujit, duke u kthyer në realike.

Por për pronarin e këtij mulliri, Hashim Allamani, problem mbetet furnizimi me ujë i tij, për shkak se kanali i cili shërben edhe për vaditje nuk sjellë sasinë e majftueshme të presionit të ujit, që ai të punojë.

Vetë Hashimi Allamani kërkon mbështetjen e pushtetit vendor në mënyrë që ta vendosë mullirin që administron në punë, gjë që përkthehet edhe në të ardhura ekonomike për familjen e tij dhe fermerët e zonës.

Plagoset me thikë një 20 vjeçar në Dibër, në Bulqizë gruaja plagos burrin me thikë

Dy ngjarje kriminale janë shënuar në fundjavë në Dibër e Bulqizë. Ngjarja e parë ishte ajo e një 19-vjeçari që plagosi me mjet prerës thikë një 20-vjeçar në qytetin e Peshkopisë pas një konflikti të momentit. Policia njoftoi se Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve shpallën në kërkim shtetasin E. E., 19 vjeç, banues në Peshkopi, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka dëmtuar me mjet prerës, një 20-vjeçar, i cili është në kujdesin e mjekëve dhe aktualisht jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, një tjetër ngjarje e rëndë u regjistrua në Bulqizë. Sipas policisë, autore e dyshuar është një grua e cila dyshohet se ka plagosur me mjet prerës thikë bashkëshortin e saj.

Në deklaratën e ndarë për mediat, njoftohet se Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen B. Xh, 40 vjeçe, banuese në Bulqizë, pasi dyshohet se ka dëmtuar me mjet prerës, bashkëshortin e saj, i cili është në kujdesin e mjekëve dhe aktualisht jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua edhe mjeti prerës. Hetimet për zbardhjen e ngjarjes vijojnë.

Futboll / Burreli bën “detyrën”, mund 2 me 1 Valbonën

  Janë zhvilluar të dielën të gjitha ndeshjet e javës së 32 të Kampionatit të Kategorisë së Parë në futboll. Ekipi ynë i futbollit “Burreli” u përball në stadiumin “Liri Ballabani” me ekipin e “Valbonës” së Tropojës. Ndonëse ky i fundit është një nga ekipet që bie direkt në kategorinë e dytë, skuadra e drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj e kishte vlerësuar maksimalisht. Takimi is ë dielës është mbyllur me rezultatin “Burreli” 2 e “Valbona” 1.

Kanë qenë miqtë nga Tropoja ata të cilët e kanë gjetur rrjetën të parët duke shënuar me Ballën në minutën e 15. Ndërkohë, matjanët i shënuan golat e fitores në pjesën e dytë me Farrukun në minutën e 51 me penallti dhe Rrokun në minutën e 70.

Takimet e luajtura të dielën e 13 Prillit u mbyllën, Pogradeci – Kukësi 3 me 0, Kastrioti – Apolonia 1 me 1, Lushnja – Korabi 0 me 1, Flamurtari – Erzeni 2 me 0 dhe Besa – Vora 0 me 1.

Kur ka mbatur vetëm një ndeshje nga fundi, tashmë janë mësuar edhe ekipet që ngjiten direkt në Superligë dhe ato që bien në Kategorinë e Dytë. Kështu, falë arritjeve në këtë garë, “Vora” e “Flamurtari” do të luajnë vitin e ardhshëm në Ligën Superiore, ndërsa “Erzeni” dhe “Valbona” zbresin në Kategorinë e Dytë.

Prefekti Shehu: Kemi nxjerrë në terren grupet e verifikimit të dëmeve nga ngricat

   Fermerët e dëmtuar nga ngricat e pak ditëve më parë në të gjithë qarkun Dibër kanë kërkuar që shteti t’ju vlerësojë dëmin. Ndërkohë, Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu tha se në të katër Bashkitë e qarkut; Mat, Klos, Bulqizë e Dibër, specialistët e zyrave të bujqësisë kanë marrë kontakte me fermerët në lidhje me dëmet që u shkaktuan nga temperaturat shumë të ulta pas reshjeve të dëborës. Sipas Shehut, fermerët duhet të bëjnë sigurimin e fermave në mënyrë që në raste të tilla të mund të përfitojnë dëmshpërblim nga kompanitë e sigurimit. Prefekti Nexhbedin Shehu shtoi se një informacion mbi gjendjen i është dërguar Ministrisë së linjës në Tiranë.

  Dëmet e shkaktuara nga ngrica e pak ditëve më parë janë shumë të mëdha qoftë në frutikulturë e qoftë në kultura të tjera bujqësore. Ndërkohë, skema e sigurimit të fermave mbetet e vështirë në vendin tonë, pasi kompanitë refuzojnë duke e ditur se ka risk të lartë për dëmtime.

NJOFTIM I POLICISË DIBËR/ Disa shtetas proçedohen në gjendje të lirë dhe dhe disa të tjerë shpallen në kërkim për vepra të ndryshme penale

NJOFTIMI I POLICISË

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve shpallën në kërkim shtetasin E. E., 19 vjeç, banues

në Peshkopi, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka dëmtuar me mjet

prerës, një 20-vjeçar, i cili është në kujdesin e mjekëve dhe aktualisht jashtë rrezikut për jetën.

Në lidhje me rastin, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. P., 19 vjeç, K. Xh., 19 vjeç

dhe O. E., 20 vjeç, të tre banues në Peshkopi, pasi dyshohet se kanë qenë të pranishëm në

momentin e konfliktit dhe nuk kanë kallëzuar krimin. Punohet intensivisht për kapjen e shtetasit

E.E.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi

penal për shtetasen B. Xh., 40 vjeçe, banuese në Bulqizë, pasi dyshohet se ka dëmtuar me mjet

prerës, bashkëshortin e saj, i cili është në kujdesin e mjekëve dhe aktualisht jashtë rrezikut për

jetën. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua mjeti prerës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi

penal për shtetasit G. A., 46 vjeç dhe F. S., 68 vjeçe, të dy banues në Burrel, pasi dyshohet se

kanë vjedhur bimë medicinale në një magazinë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit

të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme