Home Blog Page 11

Bulqizë, vijon protesta e minatorëve

   Edhe këtë të enjte minatorët e Bulqizës kanë protestuar sërish, por në ditën e katërt të protestës në numër më të vogël, për shkak se kompania nuk ka lejuar të futen brenda ambjenteve punëtorët e turnit të dytë dhe të tretë. Protestuesit u mblodhën në pjesën hyrëse të galerisë së kromit duke kundërshtuar vendimet e marra nga kompania që menaxhon minierën më të madhe të Bulqizës. Në mbështetje të minatorëve protestues kanë shkuar edhe ish-minatorë.

Njëri prej tyre, ish-minatori Kadri Disha thotë se minatorët e Bulqizës duhet të mbështeten në protestën e tyre edhe nga sindikatat e të mos luftojnë të vetëm. Ai thekson se vendimi i kompanisë për të bërë edhe të shtunat ditë pune është i padrejtë. Disha shton se një tjetër padrejtësi ndaj minatorëve është mos miratimi i statusit të minatorit.

Prej disa ditësh dhjetra minatorë, të minierës që administrohet nga kompania turke Yildirim Holding, janë ngitur në protestë duke kërkuar rritjen e pagës, shfuqizimin e vendimit për të punuar edhe të shtunave dhe lëvrimin e 4% të inflacionit, një zë ky i akorduar nga shteti shqiptar.

Dalin zyrtarisht kandidatët e koalicionit “Për Shqipërinë madhështore” për Qarkun Dibër

Pak orë para mbylljes së afatit zyrtar për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputet në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit koalicioni opozitar “Për Shqipërinë madhështore” ka publikuar emrat zyrtar që do të jenë përballë mazhorancës në këtë garë elektorale.

Xhelal Mziu dhe Denisa Vata do të jenë në 30% e listës së mbyllur ku votuesit nuk do të kenë mundësinë të japing votë preferenciale. Ndërkohë, i treti në listë që nis pjesa e hapur e saj është gazetari Basir Çollaku.

Alketa Agolli do të renditet e katërta në listën e Dibrës për tu pasuar me ish deputetin Xhemal Gjunkshi. Ish deputeti i Bulqizës Përparim Spahiu do të jetë i gjashti në listë dhe për tu mbyllur me kandidatin e shtatë që është Shpend Ndreu i cili vjen nga diaspora.

Listës zyrtare i mungojnë dy emra që morën shumë vota në zgjedhjet primare brenda PD me datë 1 Mars. Ish kryebashkiaku i Peshkopisë, Ilir Krosi nuk është në listë e po ashtu as ish kandidati për Kryetar të Bashkisë Dibër në zgjedhjet locale të 2023, avokati Ismail Uka.

Lista e mbyllur

  1. Xhelal Mziu
  2. Denisi Vata

Lista e hapur

  1. Basir Çollaku
  2. Alketa Agolli
  3. Xhemal Gjunkshi
  4. Perparim Spahiu
  5. Shpend Ndreu

“Rruga e Arbrit”, Rama jep lajmin: Hapet nesër për qytetarët Tuneli i Murrizit.

Kryeministri Edi Rama në nisje të serisë së sotme “Sy m’sy” ka publikuar një video nga tuneli i murrizit, i cili do të hapet më 14 mars.

Rama u shpreh se kjo ditë përkon edhe me ditën e verës, ndërsa ka bërë me dije se shumë shpejt mbaron edhe aksi Maqellarë- Peshkopi.

“Ky është tuneli i shumëpritur i Murrizit. Më në fund u dorëzua mali. Edhe tuneli do të dorëzohet nesër për të gjithë popullin e Dibrës që mezi e kanë pritur për vite. Syri i keq më në fund plasi se tel ai tunel na u mblodh energjia negative dhe gjeologjia e atij tuneli ishte tmerr kështu që nesër, tuneli i Murrizit hapet. Kjo përkon me ditën e verës. Nesër ditë vere nga Elbasani në Dibër e në të gjithë Shqipërinë. Jam i bindur se nëse s’ke shkuar do të zbulosh një copë Shqipërie të mrekullueshme, por ajo që kemi bërë gjatë këtyre viteve, kemi krijuar mundësi për zbulimin e copave të mrekullueshme”, tha ai.

LAJM I FUNDIT/ PS prezanton kandidatët në qarkun Dibër, Blendi Klosi dhe 6 garues për herë të parë

Blendi Klosi: Paraqes para jush listën e ekipit të Dibrës. Lista përbëhet nga 7 anëtarë që premtojnë një rezultat pozitiv. Nga të shtatë kolegët, përveç meje 6 të tjerët garojnë për herë të parë në qarkun e Dibrës.

Lista përbëhet nga Blendi Klosi, Alma Selami, Agron Malaj, Murat Dani, Daniel Gjura, Valentina Haliti, Dritan Selishta.

DIBËR/ Goditi me grusht efektivin për një gjobë, arrestohet 35-vjeçari (EMRI)

35-vjeçari Eriol Çela është arrestuar nga policia e Dibrës pasi ka goditur me grusht një punonjës policie.

Blutë bëjnë me dije se gjithçka ka ndodhur pas vendosjes së një gjobe për parkim të gabuar.

Njoftimi i policisë: 

Goditi me grusht, për shkak të detyrës, një punonjës policie, vihet në pranga 35-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër arrestuan në flagrancë shtetasin Eriol Çela, 35 vjeç, banues në Peshkopi, pasi gjatë veprimeve procedurale për vënien e një mase administrative, për parkim të gabuar, ka goditur me grusht, një punonjës të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Pas dorëheqjes së Agron Malaj, Këshilli i Bashkisë së Matit zgjedh kryetarin e komanduar

Këshilli i Bashkisë së Matit është mbledhur këtë të mërkurë ku miratoi unanimisht dorëheqjen e kryebashkiakut Agron Malaj i cili do të jetë pjesë e listës për deputet në Qarkun Dibër në zgjedhjet e 11 Majit. 19 nga 21 anëtarët e këshillit bashkiak ishin të pranishëm në këtë mbledhje jashtë radhe e thirrur me vetëm dy pika në rendin e ditës. Pas miratimit të dorëheqjes së Malajt këshilli votoi për dy zv/kryetarët e Bashkisë ku me 17 vota u zgjodh Myslim Zeneli kundrejt 1 vote për Flutura Biba dhe një votë e pavlefshme.

Kryetari tashmë në detyrë Myslim Zeneli tha se administrata do të jetë e përkushtuar maksimalisht për vijim normal të shërbimeve dhe investime ndaj qytetarëve.

Orët e fundit për zyrtarizimin e kandidaturave të koalicionit “Për Shqipërinë madhështore”

  Teksa kanë mbetur rreth 24 orë nga përfundimi i afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve në komisionin qëndror të zgjedhjeve, ende asnjë subjekt politik apo koalicion nuk ka zyrtarizuar emrat. Ashtu si Partia Socialiste edhe koalicioni opozitar “Për Shqipërinë madhështore”, ka lënë ditën e fundit për të vendosur përfundimisht se kush do të jenë garuesit e zgjedhjeve të 11 Majit.

Koalicioni i drejtuar nga Sali Berisha pritet që të bëjë publik emrat e kandidatëve në çdo qark pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike të mërkurën e 12 Marsit.

Deri tani kjo forcë politike nuk ka zyrtarizuar asnjë emër apo mënyrën se si do të renditen kandidatët në listë.

Pas zgjedhjeve primare brenda partisë që u mbajtën me 1 Mars, tashmë po diskutohet mënyra se si do të hyhet në zgjedhje pas zyrtarizimit të koalicionit ku disa vende do tju jepen aleatëve.

Jo-zyrtarisht disa nga emrat që do të jenë pjesë e garës në Qarkun Dibër janë drejtuesit politik Xhelal Mziu, ish-kryebashkiaku i Peshkopisë Ilir Krosi, kryetarja e PD Mat, Denisa Vata, intelektuali Basir Çollaku, ish deputeti Përparim Spahiu dhe ish deputeti Xhemal Gjunkshi.

Gjithsesi mbetet për tu parë zyrtarisht pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike që do të mbahet të mërkurën në orën 17:00.

Minatorët e Bulqizës vijojnë bojkotin e punës

Minatorët e minierës së Bulqizës kanë vijuar bojkotimin e punës edhe këtë të martë. Dhjetra minatorë, që enisën bojkotin që të hënën, këtë herë u mblodhën në pjesën e përarme të hyrjes në minierën më të madhe të Bulqizës duke shpalosur kërkesat e tyre ndaj kompanisë konçensionare.

Ata kundërshtojnë urdhërin e kompanisë që menaxhon minierën më të madhe të Bulqizës për të punuar edhe ditët e shtuna, në kundërshtim me kontratën e punës. Po ashtu, minatorët kërkojnë që të bëhet rritja e rrogës siç ishte planifikuar në fillim të muajit Janar.

Minatorët u shprehën se pa u zgjidhur kërkesat e tyre nuk do të rikthehen në punë pasi kompania është në shkelje të kontratës individuale por edhe kolektive.

Për shkak se nuk i lejojnë të grumbullohen, minatorët e kompanisë Yıdırım Holding kanë zgjedhur si formë proteste bojkotimin e punës. Kjo është protesta e parë që minatorët e minierës më të madhe në Bulqizë protestojnë që kur miniera u kalua nën administrimin e kompanisë turke.

Kryebashkiaku i Matit i paraqet dorëheqjen Këshillit Bashkiak

Kryetari i Bashkisë Mat Agron Malaj ka paraqitur dorëheqjen e tij në drejtim të Bashkisë, për tu bërë pjesë e garës së 11 Majit.

Malaj ka vënë në dijeni Këshillin Bashkiak për largimin nga detyra, ndërsa këshilli ka njoftuar mbledhje jashtë radhe ditën e Mërkurë për të zgjedhur një nga zv/kryetarët për të drejtuar bashkinë deri në zgjedhjet e reja vendore.

Partia Socialiste pritet që t’i zyrtarizojë kandidatët e saj ditën e Mërkurë. Ndërkohë për Qarkun Dibër deri tani përfliten Blendi Klosi, Kryetarja e Këshillit të Qarkut Alma Selami, Kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj, Drejtori i Agjensisë së Kadastrës Dibër, Danjel Gjura, Murat Dani, si dhe Drejtori i Spitalit Rajonal Dibër, Ruzhdi Deda.

Asnjë masë e marrë për rrugën nacionale në Suç, rreziku vijon të jetë evident

  Rruga nacionale Burrel – Klos përballet me disa problematika, por shqetësues mbetet situata e aksit në fshatin Suç. Në segmentin e rrugës hyrëse të fshatit Kurdari, jo vetëm që zgavra e poshtme e rrugës nacionale po zmadhohet si pasojë e gërryerjes së vazhdueshme të ujit, por po shemben edhe mbrojtëset metalike anësore të karrezxhatës. Ky problem është i evidentuar prej kohësh nga banorët e zonës, por deri tani nuk është marrë asnjë masë nga autoritetet.

Siç duket nga pamjet, barrierat metalike anësore janë gati në shembje dhe qëndrojnë aty vetëm si dekor, pasi nuk mund të përballojnë asnjë forcë për të mos e lejuar automjetin të përfundojë në lumin Mat. Bib Gjini thotë se më problem është kur kalojnë në këtë rrugë mjetet e tonazhit të rëndë, pasi struktura e rrugës është dobësuar shumë. Ai shton se masat që duhen marrë duhet të jenë të menjëhershme dhe të mos lejohet që të shembet e gjithë traseja e rrugës, pasi do të ishte një fatkeqësi për të dy Bashkitë; Mat e Klos, por edhe më gjerë.

  Duke qenë se rruga nacionale Burrel – Klos është rehabilituar e gjitha 7 vite më parë, banorët kërkojnë që firma mirëmbajtëse të ndërhyrjë sa më parë në segmentin e dëmtuar në fshatit Suç.