Home Blog Page 10

Ndalohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë në rrugën e Arbrit nga ora 6:00 deri në 20:00

Mjetet e tonazhit të rëndë që do të lëvizin nga Qarku Dibër në drejtim të Tiranës duke përdorur rrugën e Arbrit, nuk do të duhet ta përdorin këtë aks rrugor në një fashë kohore të përcaktuar.

Ndonëse për 4 ditë me radhë nga hapja e tunelit u lejua që makinat që transportojnë krom të përdornin rrugën e Arbrit, nga kjo e martë ato nuk janë lejuar më. Drejtues të mjeteve të tonazhit të rëndë thanë për “Mat Televizion” se ju është komunikuar nga autoritetet policore që të mos e përdorin këtë rrugë nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 20:00 të mbrëmjes çdo ditë.

Vendimi për të mos lejuar qarkullimin e këtyre automjeteve në rrugën e Arbrit nuk është marrë për të ruajtur jetëgjatësinë e asfaltit por për shkak se krijojnë trafik të dendur për automjetet e tjera që qarkullojnë në këtë rrugë.

Që prej mëngjesit të së martës, shumë makina me krom janë parkuar në Qaf Buall për të pritur orarin zyrtar ku lejohet qarkullimi në rrugën e Arbrit për to.

Megjithëse vendimi iu është komunikuar një pjese të madhe të drejtuesve të automjeteve të rënda apo subjekteve minerare, ende nuk ka një tabelë që informon drejtuesit e këtyre mjeteve që qarkullimi në rrugën e Arbrit është me fashë të përcaktuar orare.

Reshjet e borës përfshijnë edhe zonat e thella të Dibrës e Bulqizës

Ndryshimet e menjëhershme të motit kanë rikthyer reshjet e borës në zonat e thella të Dibrës dhe Bulqizës. Bora ka zbardhur fshatrat mbi 1000 metra mbi nivelin e detit.

Ndërkohë, sipas strukturave të mbrojtjes civile në Bashkitë Bulqizë e Dibër, deri tani nuk janë shfaqur probleme sa i përket qarkullimit të automjeteve në rrugët rurale.

Në zonat deri në 1000 metra mbi nivelin e detit ka patur reshje të dendura shiu. Gjatë orëve të mbrëmjes së të hënës temperaturat pritet të zbresin në vlera negative, ç’ka mund të sjellin edhe ngrica.

Nga ana tjetër fermerët i druhen pasojave në frutikulturë, pasi shumë pemë frutore kanë çelur ditët e fundit kur temperaturat shkuan deri në 26 gradë celsius. Pemët frutore si qershitë, kajsitë, mollët dhe dardhat mund të jenë në lulëzim ose në fazën e formimit të frutave dhe temperaturat nën zero dëmtojnë lulet dhe embrionet e fryteve, duke ulur ndjeshëm rendimentin. Edhe vreshtat janë gjithashtu të ndjeshme, pasi ngricat mund të dëmtojnë sythat e rinj dhe të ndikojnë në prodhimin e rrushit.

Ndërkohë, sinoptikanët parashikojnë që edhe në dy ditët në vijim të ketë rënie të temperaturave deri në minus 5 gradë Celsius në zonat malore, ndërsa nga e enjtja, temperaturat pritet të rriten ndjeshëm.

U hap me 14 Mars, në tunelin e Murrizit dyshohet se nuk funksionon sistemi i ventilimit

   Ditën e verës, me 14 Mars, u hap qarkullimi për të gjitha llojet e automjeteve në tunelin e Murrizit, vepra e fundit e rrugës së Arbrit që kishte mbetur pa përfunduar. Tashmë të gjithë qytetarët që lëvizin nga Tirana në drejtim të Qarkut Dibër dhe Maqedonisë së Veriut apo anasjelltas, përdorin këtë tunel duke shmangur bypassin e Murrizit. E ndërsa tashmë kalojnë me qindra automjete në ditë, në tunelin e gjatë prej 3.8 kilometrash dyshohet se mungon vetilimi. Sistemi i pastrimit të ajrit në brendësi të tunelit, sipas disa drejtuesve të mjeteve që e përshkojnë atë, ende dyshohet se nuk është vendosur në punë, ndonëse aty shkarkohen gazra të dëmshëm gjatë gjithë ditës si pasojë e kalimit të qindra automjeteve. Këta drejtues mjetesh kërkojnë që sistemi i ventilimit, nëse nuk funksion, të vendoset urgjentisht në punë, pasi në tunel, thonë ata, krijohet ajër toksik nga qarkullimi i qindra makinave.

Një tjetër shqetësim që ngrenë drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në rrugën e Arbrit është edhe kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, që sipas tyre ato mund ta dëmtojnë shumë shpejt këtë rrugë, siç kanë dëmtuar edhe rrugën Klos – Burrel – Skuraj.

Banorë të Mirditës, Matit e Dibrës protestojnë për rrugën e papërfunduar, Perlat – Lurë

Dhjetra banorë të Mirditës, Matit dhe Dibrës u mblodhën në një protestë për rrugën Perlat – Lurë, investim i nisur tre vite më parë por që ende nuk ka përfunduar. Protestuesit u mblodhën në vendin e quajtur “Livadhi Turkut” aty ku nis rruga Perlat – Lurë. Rruga duhej të ishte asfaltuar por punimet kanë mbetur në vendnumëro. Protesta e thirrur nga shoqëria civile mblodhi dhjetra banorë të zonave Mirditë, Mat e Dibër. Protestuesit kërkuan që autoritetet të ndërmarrin hapat ligjor ndaj firmës e cila po zvarrit përfundimin e projektit. Ata thanë se protestat e tyre nuk do të ndalen por do të përshkallëzohen me bllokim të rrugës së kombit do të zhvendosen deri në Tiranë.

Protesta u mbyll paprobleme, ndërsa u monitorua nga policia lokale.

Fondi prej afro 12.6 milion euro për këtë vepër që do t’i shërbente shumë zhvillimit të turizmit në Lurë është një donacion i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, i përfshirë nga qeveria shqiptare në Programin për Zhvillimin e Infrastrukturës dhe Turizmit në Shqipëri nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Futboll / Burreli mund Erzenin dhe mban vendin e katërt

  Është zhvilluar këtë të shtunë ndeshja e javës së 28 e kampionatit të kategorisë së parë në futboll mes ekipit “Burreli” dhe ekipit “Erzeni”. Takimi është luajtur në fushën e stadiumit “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit, ku djemtë e drejtuar nga trajneri Ditmar Bicaj arritën të marrin tri pikë të plota.

Ndeshja mes skuadrës vendëse dhe asaj mike prodhoi emocion megjithëse nuk pati tempin e një ndeshje të barabartë. Matjanët patën disa raste për të shënuar në portën mike por aksionet e Farrukut, Hotit, etj. nuk u finalizuan me gol.

I vetmi gol i këtij takimi erdhi nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 35. Pas një ndërhyrje të gabuar nga mbrojtja mike, kapiteni i skuadrës së Burrelit, Florenc Farruku nuk gaboi në gjuajtjen e tij, duke shënuar golin e vetëm të sfidës.

E gjithë loja u mbyll me rezultatin “Burreli” 1 e “Erzeni” i Shijakut 0, ndonëse edhe në fraksionin e dytë djemtë e drejtuar nga tekniku Bicaj patën disa raste. Me këto tri pikë, Burreli vijon të mbajë vendin e katërt në kuotën e 50 pikëve. Ndeshjet e tjera të luajtura këtë të shtunë përfunduan: Kastrioti – Vora 0 me 1, Pogradeci – Besa 0 me 1, Lushnja – Flamurtari 0 me 4, Apolonia – Valbona 2 me 1 dhe Korabi – Kukësi 1 me 1.

Ekskluzive/ Ali Ahmeti në një intervistë për herë të parë për Mat Televizion

   Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti ka dhënë një intervistë për herë të parë për “Mat Televizion”, duke prekur një sërë çështjesh që lidhin shqiptarët në të dy shtetet. Kreu i BDI tha se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë “me sytë” nga Shqipëria. Më tej Ahmeti tha se është punuar shumë që shqiptarët të jenë faktor atje ku jetojnë, por mbështetja e shtetit amë është shumë e nevojshme dhe e rëndësishme.

I pyetur për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj nga SPAK, Ahmeti tha se është drejtësia ajo e cila do të vërtetojë nëse ka shpërdoruar detyrën dhe është përfshirë në akte korruptive, apo jo.

Vihen në pranga dy shtetas që fshiheshin prej vitesh në Dibër pasi vranë një shqiptar më 1999 në Itali

Dy shtetas shqiptarë, Andon (Afrim) Sina, 51 vjeç dhe Niko (Faslli) Sina, 48 vjeç, janë arrestuar nga Policia e Shtetit, pas një operacioni të koduar “Difficult conditions”. Ata u kapën gjatë një operacioni të realizuar në kushte shumë të vështira të terrenit dhe të motit në fshatin Rreth-Kale në Dibër, ku fshiheshin duke përdorur identitet të ndryshuar. Të dy shtetasit ishin të kërkuar nga autoritetet italiane që prej vitit 1999, dhe ishin renditur në listën e 100 personave më të kërkuar në Itali. Ata janë dënuar nga Gjykata e Apelit të Napolit në vitin 2006 me nga 14 vjet e 11 muaj burgim secili për vrasje me dashje në bashkëpunim dhe tentativë vrasjeje. Ngjarja për të cilën janë dënuar ka ndodhur më 22 shtator 1999, në Komunën Griciniano d’Aversa, ku ata vranë me sende të forta dhe mjete prerëse shtetasin shqiptar B.C dhe plagosën rëndë shtetasin shqiptar F.S, për motive të lidhura me ndarjen e të ardhurave nga aktivitete të paligjshme.

Hetimet e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Italiane, çuan në lokalizimin e tyre dhe realizimin e kapjes në fshatin Rreth-Kale. Ky operacion, që ishte pjesë e projektit “Të kërkuarit”, theksoi bashkëpunimin e ngushtë ndërkombëtar dhe angazhimin maksimal të Policisë së Shtetit Shqiptar për kapjen e personave të kërkuar nga drejtësia italiane.

Njoftimi i plotë ipolicisë:

Policia e Shtetit/Vijojnë nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit  operacionet e njëpasnjëshme  për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Difficult conditions”.

Operacioni në kushte të vështira  të terrenit dhe të motit.

Kapen gjatë operacionit dhe vihen në pranga me qëllim ekstradimi dy të kërkuar të renditur në  listën e 100 personave më të kërkuar në Itali.

Të arrestuarit të kërkuar  në Itali që prej vitit 1999 të cilët fshiheshin në Dibër dhe përdornin identitet tjetër.

Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit,  në kuadër të projektit të quajtur “Të kërkuarit”, që synon kërkimin dhe kapjen e të  shtetasve me rrezikshmëri, bazuar në inteligjencën  policore dhe bashkëpunimi i ngushtë  me  Zyrën e Ekspertit për Sigurinë në Shqipëri dhe Shërbimin për Bashkëpunimin Ndërkombëtar te Policisë,  organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar  “Difficult conditions”.

Në kuadër të operacionit  nga shërbimet e Drejtorisë së  Forcës së Posaçme Operacionale  në bashkëpunim me Divizionin e 2-të dhe Zyrën e Ekspertit të Sigurisë në Shqipëri, në kushte shumë të vështira të terrenit dhe të motit, si dhe të rrezikshmërisë së lartë shoqërore të personave të kërkuar, u bë e mundur  lokalizimi ne fshatin Rreth-Kale , kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Italisë i  dy shtetasve shqiptarë :

Andon (alias Afrim) Sina , 51 vjeç,  dhe  Niko (alias Faslli)  Sina , 48 vjeç, banues në fshatin Rreth Kale Dibër.(kushërinj).

Këta shtetas janë dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit të Napolit në Itali në vitin 2006, me nga 14 vjet e 11 muaj burgim secili për veprat penale “Vrasja me dashje e kryer në bashkëpunim”,  dhe “Vrasja e mbetur në tentativë”.

Këta shtetas në Komunen Griciniano d’Aversa, 22.09.1999, kanë vrarë me sende të forta dhe mjetë prerëse shtetasin shqiptar  B.C dhe kanë plagosur rëndë shtetasin shqiptar F.S,  për arsye të lidhura me ndarjen e të ardhurave nga aktivitete të paligjshme.

Hetimet e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Policinë Italiane, kanë bërë të saktësohet rruga e ndjekur e të arratisurve dhe kështu u bë e mundur zgjerimi i fushëveprimit të hetimit dhe u gjet vendndodhja e tyre në fshatin Rreth-Kale Dibër Falënderim i veçantë për Shërbimin e Qendrës Operative dhe Skuadrën Fluturuese të Casertës, për  koordinim të informacioneve dhe lëshim të urdhërarresteve nga  Prokuroria e  Përgjithshme  pranë Gjykatës së Apelit të Napolit.

Bashkëpunim i ngushtë u realizua nga  Divizionin e 2-të dhe Zyra e Ekspertit të Sigurisë në  Shqipëri e Drejtorisë Qendrore të Policisë Kriminale Italiane.

Finalizimi i këtij operacioni me shkallë të lartë vështirësie, në vijim të dhjetëra operacioneve të zhvilluara më parë për kapjen e personave në kërkim për llogari të drejtësisë italiane, tregon qartë angazhimin maksimal dhe profesional të Policisë së Shtetit Shqiptar për të punuar me partnerët pa rezerva dhe si të barabartë, qoftë në veprime hetimore ashtu dhe në ato operacionale.

Futboll / Nesër, Burreli – Erzeni

0

  Ndeshjet e javës së 28 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll do të luhen të shtunën e 15 Marsit. Skuadra matjane “Burreli” do të presë në stadiumin “Liri Ballabani” ekipin e “Erzenit” të Shijakut. Për shkak se kampionati pritet të mbyllet më herët se vitet e tjera, ndeshjet javë zhvilluar dy herë në javë. Megjithatë, skuadra e Burrelit e drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj ka zhvilluar intensivisht përgatitjet për çdo ndeshje pasardhëse. Fitorja e fundit ndaj Lushnjës i ka dhënë skuadrës më shumë optimizëm për të qëndruar fort në vendin e katërt.

Ndërkohë, për ndeshjen e së shtunës ndaj Erzenit lojtarëve të Burrelit u janë dhënë të gjitha porositë e nevojshme që edhe pse shijakasit janë në fund të renditjes, që të mos e neglizhojnë për asnjë moment kundërshtarin.

Takimi i javës së 28 për skuadrën e Burrelit do të luhet nesër në orën 14:00, në stadiumin “Liri Ballabani”.

Hapet tuneli i Murrizit, nis qarkullimi për qytetarët

Është zhvilluar të premten e 14 Marsit, në Ditën e Verës, ceremonia e hapjes së tunelit të Murrizit për qarkullimin e të gjitha automjeteve, një pjesë e rëndësishme ky i rrugës së Arbrit. Me një ceremoni të veçantë ku morën pjesë drejtues të lartë të shtetit, si kryeministri Edi Rama, Zv/kryeministrja Belinda Balluku, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, deputetë, drejtues të bashkive të qarkut Dibër etj., u bë hapja zyrtarisht për lëvizjen e qytetarëve me automjete nga Qarku Dibër drejt Tiranës dhe anasjelltas.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama tha se kjo vepër është për të ardhmen dhe shigjetoi opozitën.

Qindra qytetarë ishin mbledhur në mënyrë festive në të dy anët e tunelit për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së veprës së fundit për qarkullimin e automjeteve në rrugën e Arbrit. Tuneli i Murrizit është i gjatë rreth 3.8 kilometra dhe shkurton ndjeshëm kohën e distancën që kishte kalimi nëpërmjet bypassit të Murrizit.

Me përfundimin edhe të segmentit Herebel – Peshkopi, distanca nga Tirana në Dibër bëhet vetëm 74 kilometra dhe mund të mbërrihet për 90 minuta.

Aksident i rëndë në Bulqizë/ Makina del nga rruga, humb jetën një person. Drejtuesi i mjetit dhe 4 të plagosur nisen drejt Tiranës

0

Një aksident rrugor ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në aksin rrugor Bulqizë-fshati Peladhi, ku shtetasi E.Z., teksa drejtonte automjetin tip ‘Foristrade’,  ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe automjeti ka dalë nga rruga.

Si pasojë e aksidentit ka mbetur i dëmtuar drejtuesi i mjetit dhe 4 pasagjerë, të cilët janë transportuar drejt  Tiranës për ndihmë më të specializuar mjekësore,  ndërsa shtetasja M.Z.,  ka humbur jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Njoftimi i plotë

Bulqizë/Informacion paraprak

Rreth orës 21:20, në aksin rrugor Bulqizë-fshati Peladhi, shtetasi E.Z., teksa drejtonte automjetin tip ‘Foristrade’, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe automjeti ka dalë nga rruga.

Si pasojë e aksidentit ka mbetur i dëmtuar drejtuesi i mjetit dhe 4 pasagjerë, të cilët janë transportuar drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar mjekësore, ndërsa shtetasja M.Z., ka humbur jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.