Popinar, Dibër / Fshati një mijë metra mbi nivelin e detit që jeton me bujqësi

Popinar, Dibër / Fshati një mijë metra mbi nivelin e detit që jeton me bujqësi
Fshati Popinar në bashkinë Dibër ndodhet 1 mijë metra mbi nivelin e detit por jo shumë larg rrugës nacionale Maqellarë – Peshkopi, dhe është ndër ato fshatra që jeton vetëm me bujqësi. Por nëse në zonat fushore përdoren mjete agregate, në Popinar toka ende punohet e lëvrohet me kafshë pune. Njëri nga banorët, Ilir Turshilla, shprehet se bujqësia është e vetmja mënyrë për të nxjerrë të ardhura ekonomike. Ai është bashkë me familjen e tij duke shkulur patatet sezonale, për të cilat thotë se nuk di se çfarë të bëjë me to. Mungesa e mbështetjes së shtetit në garantimin e tregut bën që prodhimi të mbetet çdo vit stok. Turshilla thotë se pataten e bëjnë kavaletë për ta ruajtur nga prishja dhe ta shesin gradualisht. Kjo është e vetmja metodë tradicionale që mund të ruajnë prodhimin. Për shkak të mungesës së investimeve fshati është thuajse i braktisur totalisht. Ndërsa bujku tjetër Zeni Hamzai thotë se po të mos ishte bujqësia, asnjë mundësi tjetër nuk ka fshati, ndërsa gjendja ekonomike ka bërë që tokat ende të punohen me kafshë. Ai shton se premtimet që jepen në fushata elektorale nuk mbahen nga askush. Banorët e Popinarit shpresojnë që shteti dhe pushteti vendor të tkhejnë vëmendjen edhe tek ata.