Nën sloganin “Nxënësit dhe siguria në rrugë’’ Policia e Dibrës, ka nisur një fushatë me orë mësimore dhe praktike në terren për edukimin e nxënësve për njohjen dhe zbatimin e rregullave dhe të sinjalistikës horizontale dhe vertikale të trafikut rrugor, me qëllim që nëpërmjet tyre të sensibilizojë të gjithë përdoruesit e rrugës.
Specialistët e qarkullimit rrugor u ndalën, në shkollën 9-vjecare “Irfan Hajrullai”, duke bashkëbiseduar me nxënësit e klasave të VIII të kësaj shkolle për domosdoshmërinë e njohjes së sinjalistikës, zbatimin e saj dhe ndërgjegjësimin e gjithë përdoruesve të rrugës për rëndësinë e madhe që ka respektimi i rregullave të qarkullimit, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore.
Shefi i Sektorit të Policisë Rrugore, Robert Aga ka theksuar se siguria rrugore është sot një nga problemet më të mprehta në botë. Në gjithë botën në çdo 27 sekonda vdes 1 njeri dhe plagosen 6 të tjerë. Nga këta, përqindja më e madhe i përket këmbësorëve, 30 % e të cilëve janë fëmijë.
Nxënësit dhe punonjësit e Policisë kanë zhvilluar një demostrim në rrugë për të konkretizuar ato që diskutuan gjatë bashkëbisedimit në shkollë.