Policia largon shitësit ambulant në rrugën e Arbrit, kryebashkiakja Kola: do gjejmë një zgjidhje

Policia largon shitësit ambulant në rrugën e Arbrit, kryebashkiakja Kola: do gjejmë një zgjidhje

Që me nisjen e muajit shtator me ndërhyrjen e policisë bashkiake dhe asaj të shtetit janë larguar të gjithë tregtarët ambulantë që shisnin prodhime bujqësore në rrugën e Arbrit. Kjo ka sjellë pakënaqësi tek fermerët e fshtrave të Njësisë administrative Klos e Xibër, që nxirrnin produktet bujqësore për t’i tregtuar në tezga e kjoska.

Lidhur me këtë problem gazetari ynë Enver Doçi kontaktoi me kryetaren e Bashkisë Klos, Valbona Kola, e cila u shpreh se largimi tregtarëve të vegjël nga dy anët e rrugës së Arbrit është bërë pasi ndalimi i udhëtarëve nëpër tezga bëhet burim për aksidente.

Por Bashkia Klos, tha Kola, ka menduar edhe për tregtarët ambulantë, për t’iu ardhur në ndihmë të tregtimit të prodhimit bujqësor e blegtoral, përmes një projekti që parashikon ndërtimin e dy tregjeve. Ato do të ndërtohen sipas standardeve duke respektuar distancat nga rruga nacionale, mbi 20 metra larg saj. Janë parashikuar që njëri treg të ndërtohet për nevojat e tregtarëve ambulantë të Njësisë Administrative Klos, dhe tregu tjetër për nevojat e tregtarëve të Njësisë Administrative Xibër, duke shmangur kështu edhe burimet e aksidenteve.

Pavarësisht masave të ndërmarra nga policia për të larguar të gjithë tregtarët ambulantë që shisnin prodhime bujqësore në rrugën e Arbrit, ka prej atyre që nuk e zbatojnë urdhërin e dhënë duke dalë sërish me tezga buzë rrugës nacionale për të tregtuar.

Për këto raste, kryebashkiakja Valbona Kola tha se do të jenë objekt i ligjit dhe do të ndëshkohen sipas penaliteteve që parashikon ai.