Rekamë

   Policia e Dibrës ka vënë në pranga shoferin e furgonit të transportit publik Peshkopi – Tiranë i cili një ditë më parë u përmbys në hyrje të tunelit të Murrizit ku mbetën të plagosur katër persona. Policia ka arritur ta dokumentojë ngjarjen nga kamerat e sigurisë së kantierit të ndërtimit, ku dallohet qartë që në momentin e aksidentit nuk ka patur asnjë automjet tjetër. Nisur nga kjo specialistët e Seksionit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasin A. L., 55 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”. Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore dhe procedurale për aksidentin, shtetasi A. L. ka dhënë deklarim të rremë, se një automjet tjetër i kishte ndërprerë rrugën dhe ishte bërë shkak për këtë aksident.

Mesditën e djeshme, dyshohet se për shkak të humbjes së kontrollit, furgoni që drejtonte 55-vjeçari (automjet për transport ndërqytetas të qytetarëve) ka dalë nga rruga dhe si pasojë janë dëmtuar pasagjerët në këtë automjet. Njëri nga të dëmtuarët vijon të jetë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa të tjerët pasi kanë marrë shërbimin mjekësor, janë larguar në banesa.