Mjeku, tashmë shumë i njohur infeksionist, Pëllumb Pipero ka apeluar ditën e sotme që të hapen sa më parë plazhet për qytetarët.

Pipero thotë se kjo do të ishte shumë mirë për vendin. “Sa më shpejt të mundësohet frekuentimi i plazheve apo pishinave shumë më mirë do të ishte”, u shpreh ai.

Meku infeksionsit theksoi se pas datës 1 qershor me shumë mundësi karantinimi në shumë vende të rajonit mund të hiqet, gjë e cila sipas tij mund të ndodhë edhe në vendin tonë.

“Të paktën për këtë sezon ne jemi në fazën e fundit të pandemisë. Numri i rasteve pozitive asimptomaik, (pa shenja klinike) është gjithnjë e në ulje. Indikatorët epidemiologjik dhe klinik mundësojnë hapjen e kufijve tokësor apo shtimin e zonave të gjelbërta, por kjo nuk do të thotë të ftojmë turistët dhe t’i mbajmë në karantinë. Unë do të këshilloja të gjithë resortet, baret, restorantet të respektojnë protokollet, por edhe qytetarët duhet të kenë kujdes.

Në këtë fazë të hapjes qytetarët duhet të shmangin grumbullimet. Edhe pse ekspozimi mundëson përfitimin e imunitetit. Dalja ndihmon jo vetëm në aspektin psikologjik, por edhe në atë shëndetësor. Unë personalisht nuk shqetësohem nga rastet që kemi aktualisht, por do të thoja që të vazhdojmë të hapemi gradualisht. Ekspozimi në këtë periudhë të epidemisë mundëson fitimin e imunitetit”, u shpreh ai, në një intervistë për “ABC Neës”.

Duke folur për mundësinë e rikthimit të një vale të dytë, Pipero tha se opinionet e dhëna janë disi kontradiktore edhe pse theksoi se ende nuk ka një evidencë të plotë për sjelljen  e këtij virusi.

“Askush nuk mund ta përjashtojë një valë të dytë, por kam thënë që në opinionin tim një valë e dytë në fund të vjeshtës ka gjasa që të mos jetë agresive. Besoj që mund të kemi një skemë mjekimi më efektive ndaj COVID-19”, tha ndër të tjera Pipero.