
Është e disata herë që media bën sensibilizim për rrezikun që u kanoset derjtuesve të mjeteve në rrugën nacionale Burrel-Klos, pranë Kishës së Suçit. Poshtë xhadesë në këtë vend, gërryerja ka shkaktuar një zgavër që përbën një rrezik imediat për përdoruesit e këtij aksi, sidomos për ato automjete me tonazh të lartë.
Nga pamjet tona filmike dallohet qartë se procesi i thellimit të zgavrës nën xhade është intensiv si pasojë e erozionit që ndihmohet edhe nga ujërat që mblidhen e derdhen pikërsisht në këtë vend.
Edhe kjo shtyllë elektrike, sipas specialistëve, nuk e ka shumë të gjatë të qëndrojnë në këmbë, pasi është e ngulitur pikërisht në këtë vend me erozion të dukshëm. Situata bëhet më e rëndë kur dimri po afron dhe erozioni i tokës shumëfishohet. Shtresat shkëmbore në këtë vend janë argjilore që shkëputen herë pas here nën ndikimin e ujërave.
Përdoruesit e këtij aksi rrugor i bëjnë apel instancave shtetërore të ndërhyjnë sa më parë, pa ardhur ende dimri, si dhe të vendosen tabelat sinjalizuese për rrezikun që paraqet kjo pikë e rrugës nacionale Burrel-Klos.