Nga dita e djeshme pika kufitare e Kapshticës po funksionon gjatë 24 orëve, ndërsa burime për Euronews Albania bëjnë me dije se nuk do të ketë limit për numrin e personave që udhëtojnë drejt shtetit grek.
Autoritetet e Policisë Greke kanë njoftuar palën shqiptare se do të lejohet hyrja për në Greqi për shtetasit shqiptarë me pasaportë, shtetasit me leje qëndrimi greke dhe shtetasit e tjerë evropianë, të cilët duhet të jenë të pajisur me testin e COVID-19 dhe të kenë të plotësuar formularin e regjistrimit PLF në adresën www.travel.gov.gr.
Autoritetet lajmëruan se do të lejohen gjithashtu të hyjnë në Greqi, mjetet e tonazhit të rëndë dhe autobusë, drejtuesit e të cilëve duhet të bëjnë regjistrimin e formularit PLF dhe duhet t’i nënshtrohen një testi të shpejtë COVID-19, pranë palës greke të kësaj pike kalimi.