Rekamë

16 Maj 2024

   Fshati Petralbë së bashku me fshatin Gur i Bardhë në bashkinë Klos, është përzgjedhur një nga 100 fshatrat turistik të vendit tonë që prej vitit 2018. Banorët këtyre fshatrave thonë se jo vetëm nuk po shohin investime për zhvillimin e turizmit, por po shohin se si po largohen të gjithë duke e kthyer fshatin thuajse në të shkretë. I vetmi fëmijë në fshatin Petralbë është vajza 6-vjeçare e Agron Metës. Ky i fundit thotë se dikur fshati kishte shkollën e tij, ndërsa sot ka vetëm një nxënës. Për Agronin fëmija e tij do të duhet të udhëtojë rreth 1 orë për të shkuar në shkollën e Gurit të Bardhë. Problem tjetër është infrastruktura rrugore pasi në Petralbë, thotë ai, mund të futen vetëm mjetet 4X4.

Ish-mësuesi Hamit Spahiu thotë se ashtu si çdo fshat tjetër edhe Petralba nuk i ka shpëtuar largimit masiv të banorëve të tij. Sipas tij, shkaku kryesor ka qenë mungesa e punësimit.

Nga ana tjetër, Spahiu shprehet se është shumë e vështirë që të rikthehen sërish banorët, pasi këtu ka humbur shpresa.

Fshati Petralbë në bashkinë e Klosit njihet edhe për kalanë me të njëjtin emër, e njohur ndryshe si rezidenca e Kastriotëve dhe që ndodhet në malin mes fshatrave Petralbë, Shkallë dhe Fshat, të Klosit.