“Petralba” e Gurit të Bardhë, e harruar pas ndërtimit të Rrugës së Arbrit

“Petralba” e Gurit të Bardhë, e harruar pas ndërtimit të Rrugës së Arbrit

Pas ndërtimit të Rrugës së Arbrit, lagjja “Petralbë” në fshatin Guri i Bardhë, në njësinë administrative Xibër të Bashkisë Klos, duket se ka mbetur jashtë vëmendjes së pushtetit vendor. Ndërkohë që fshati i Gurit të Bardhë është përfshirë në listën e 100 fshatrave turistikë të vendit, Petralba është lënë në harresë.

Vetëm 3 kilometra rrugë e ndajnë fshatin nga aksi kryesor, por mungesa e mirëmbajtjes ka bërë që ajo të jetë pothuajse e pakalueshme. Banorët që ende jetojnë aty shprehen se po mendojnë të largohen, pasi çdo ditë përballen me vështirësi të mëdha për shkak të gjendjes së rrugës.

SINKRON BANORËT: “Ne dalim vetë dhe punojmë për të mbajtur rrugën, sepse nga pushteti vendor nuk kemi asnjë ndihmë. Na kujtohen vetëm në kohë fushatash”, thonë banorët.

Ndërsa drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në zonë shtojnë se automjetet u dëmtohen çdo ditë dhe se rruga, një nga më të vjetrat që lidhte zonën me Tiranën, është bërë pothuajse e pakalueshme. Ata kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të Bashkisë Klos për riparimin e rrugës deri në hyrje të fshatit. Gjithashtu theksojnë se janë taksapagues të rregullt dhe kërkojnë që shteti të marrë masa para se fshati të braktiset plotësisht.

SINKRON DREJTUESIT E MJETEVE: “Dimri po afrohet, gropat dhe gurët në rrugë e bëjnë qarkullimin të pamundur. Nuk ka punonjës për të hapur kanalet apo për të prerë ferrat. Ankesat tona në bashki mbeten vetëm premtime,” shtojnë banorët.

Rruga e Petralbës është kthyer në një problem serioz, dhe banorët kërkojnë zgjidhje urgjente përpara se izolimi të bëhet i plotë.