Përplasje e fortë në konferencën e Ramës: Akuza për pastrim parash ndaj televizionit të gazetares

Përplasje e fortë në konferencën e Ramës: Akuza për pastrim parash ndaj televizionit të gazetares

Kryeministri Edi Rama ndërpreu për pesë minuta konferencën për shtyp pas një përplasjeje të tensionuar me një gazetare.

Kreu i qeverisë u pyet lidhur me arrestimet për mos pagesë energjie dhe ndërtimet pa leje, duke vënë në pah kontrastin me mospranimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-ministres Belinda Balluku.

Rama sqaroi pozicionin e tij: "Nuk kam thënë kurrë burg për ata që nuk paguajnë dritat. Kam thënë burg për ata që i vjedhin dritat. Ata që nuk i paguajnë, kam thënë që duhet të priten dritat. Në burg nuk shkon për diçka që nuk shkruhet në Kodin Penal. Kanë hyrë në burg persona që kanë vjedhur dritat. Ndërtimi pa leje është në Kodin Penal i sanksionuar dhe është një vepër penale që ndëshkohet sipas shkallëve, por edhe me heqjen e lirisë”, tha Rama.

Gazetarja këmbënguli për një përgjigje specifike lidhur me ish-ministren Balluku, ndërkohë që kryeministri kërkoi të mos ndërpritet gjatë fjalës së tij. Pas rreth 10 minutash debat, Rama e ndërpreu për pesë minuta konferencën, për ta rifilluar sërish më pas.

Pjesë nga debati:

Gazetarja: Keni deklaruar më herët ‘burg për ata që nuk paguajnë dritat’, për ata që abuzojnë me hapësirat publike, dhe burg për ata që parkojnë dysh. Pse në rastin e Belinda Ballukut i thatë “jo burgut”? Pse mbahet ky standard i dyfishtë? Personat me imunitet ruhen nga burgu, ndërsa qytetarët shkojnë në burg për vepra të tilla?

Rama: Jetojmë në një kohë ku gënjeshtra, kur përsëritet, bëhet e vërtetë, dhe e vërteta s’ka asnjë rëndësi. S’kam thënë kurrë “burg” për ata që nuk paguajnë dritat, kurrë! Dhe askush nuk ka shkuar në burg që s’ka paguar dritat. Unë kam thënë “burg” për ata që vjedhin dritat. Pse më ndërhyn tani? Këtu fillon mitingu… Kjo nuk është për të bërë miting. Nuk është debati, por pyetja dhe përgjigja.

Gjërat që ti kërkon, si gjithmonë, janë përgjigjet që do ti. Me shumë qetësi pres që të mbarojë pyetja jote e gjatë dhe me komente përkatëse, për të dhënë fjalën e lirë deri në fund.

Gazetarja: Nuk ka nevojë të drejtoheni… Përgjigjuni pyetjes!

Rama: Do më lësh të flas deri në fund?! Do merrem me çdo gjë që më vjen për të merrem, sepse jam aq i lirë sa je ti dhe të tjerët që thoni gjërat që doni. Unë dua fjalën këtu. Si mund t’i kërkohet dikujt të japë përgjigjen që do ti?

Në Shqipëri, s’ka hyrë kurrë një person në burg që s’ka paguar dritat. Nuk ka kod penal ku thuhet se mospagesa e dritave të çon në burg. Kanë hyrë në burg njerëz që kanë vjedhur drita. Mos insisto në gabim, sepse je gabim. Është gënjeshtër e përsëritur në propagandë. Ndërtimi pa leje është vepër penale dhe ndëshkohet sipas shkallëve. Më lër të mbaroj, nuk kam mbaruar zonjë. Thashë se ishe mësuar dhe të respektova dhe ta dhashë radhën e parë. Kush je ti që ndërpret gjithë kohës?! Kjo është edukatë skandaloze e komunikimit.

Gazetarja: Kur përmendët emrin e drejtuesit të televizionit…

Rama: Ai TV që thua ti është në prokurori për pastrim parash, me denoncim të bërë nga organet shtetërore. Më lër të mbaroj, se janë dhe të tjerët.

Gazetarja: Jeni të shqetësuar për…

Rama: Kjo sjellje pengon njerëzit të marrin vesh të vërtetën. Dhunon në emër të tyre me gënjeshtra. Unë nuk punoj dhe kjo është e sigurt. TV ma përmende ti dhe televizioni…

Gazetarja: S’ta lejoj fare.

Rama: Televizioni është në prokurori prej disa vitesh për pastrim parash. Unë përgjigjem si të dua dhe dua ta dinë të gjithë këtë fakt.