Përmbytet rruga pranë terminalit të Bulqizës
Reshjet e vazhdueshme të shiut kanë krijuar probleme në disa rrugë të qarkut Dibër.
Ndërkohë, në Bulqizë është përmbytur rruga që lidh dy lagjet e qytetit duke penguar lëvizjen normale të automjeteve.
Reshjet e pandërprera të shiut të nisura që ditën e djeshme kanë bërë që kanalet kulluese të mos përballojnë sasinë e ujit i cili ka mbuluar gjithë asfaltin, duke bërë që jo vetëm mjetet por edhe këmbësorët të pengohen në lëvizje.
Kjo situatë është e përsëritur sa herë ka reshje shirash ku edhe pse është ndërhyrë në zgjerimin e kanaleve kulluese të ujërave të bardha, ato bllokohen shpejt dhe nuk funksionojnë siç duhet.
Po ashtu me një situatë të ngjashme përballet edhe rruga e Arbrit mes dy lagjeve të qytetit të Bulqizës.
Sa herë ka reshje shirash, rruga poshtë urës mbushet me ujë duke u kthyer në burim aksidentesh për të gjithë drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në drejtim të Peshkopisë apo Tiranës.
Përmbytja këtu vjen nga mosfunksionimi siç duhet i kanaleve kulluese të rrugës së Arbrit, por edhe të atyre ujrave që vijnë nga Qafa e Buallit mes dy lagjeve të qytetit të Bulqizës.