Stuhia që përfshiu vendin tonë fundjavën e kaluar ka shkaktuar dëme të ndryshme edhe në fshatra, veç problemeve në rrugët nacionale apo qendrat urbane. Kjo është banesa e familjes Tollja nga fshati Sopot i Bulqizës. E zonja e shtëpisë, Bibe Tollja thotë se e premtja e kaluar ka qenë ditë tmerri për ta, pasi uji vërshoi në banesë duke e përmbytur. Po ashtu, rrjedha e madhe e ujit i ka marrë edhe disa koshere bletë të cilat i kishte në oborrin e banesës. Sipas saj, ndihma e parë është dhënë nga banorët e fshatit, të cilët kanë arritur të shpëtojnë dëme të mëtejshme që mund të shkaktoheshin nga vërshimi i ujit. Nga ana tjetër, Bibe Tollja shprehet se shumë orendi shtëpiake i janë dëmtuar për shkak të ujit që hyri në banesë.
Për t’u ardhur në ndihmë banorëve të fshatit Sopot, pasditen e datës 3 nëntor, ka shkuar një mjet tip fadromë i Bashkisë Bulqizë i cili ka bërë të mundur hapjen e kanalit. Ndërkohë, që uji i rrëmbyeshëm ka dëmtuar edhe rrugën e një lagjeje, pasi rrjedha rrëmbeu urën e prishi tombinot që ishin vendosur nga vetë banorët kohë më parë.