
Është përkujtuar këtë të hënë të 31 korrikut, 80-vjetori i Kryengritjes mbarëpopullore matjane e 31 Korrikut të vitit 1943 kundër pushtuesve italian. Në nderim të kësaj dite të shënuar në historinë e luftës së popullit matjan për liri, u zhvillua një ceremoni homazh pranë Muzeut Historik Mat, ku dhë ndodhet lapidari i kësaj ngjarjeje historike. Pjesë e ceremonisë ishin Kryetarët e Bashkive Mat e Klos, Agron Malaj e Valbona Kola, Kryetarët e Këshillave bashkiakë, Altin Bojni e Hazbie Dedolli, prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu e nënprefekti i Matit Hasan Pasha, kryetarja e Këshillit të Qarkut Dibër Alma Selami, pasardhës të veteranëve etj. Fjalën e rastit e mbajti Përgjegjësja e Sektorit të Turizmit, Trashëgimisë Historike e Arkeologjike në Bashkinë Mat, Suzana Kurti.
Në cilësinë e Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it Mat, përshëndeti kryetari i kësaj organizate, Sefer Duka.
Në fund, të pranishmit vendosën kurora me lule pranë lapidarit kushtuar ngjarjes së 31 Korrikut të vitit 1943.