Përjashtimi i KF Bulqiza, distancohet kryebashkiaku Alla

Përjashtimi i KF Bulqiza, distancohet kryebashkiaku Alla

Pas publikimit të vendimit të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit për përjashtimin nga garat sportive për 5 vite të 3 ekipeve të kategorisë së dytë, mes të cilëve edhe Bulqiza, ka reaguar Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla.
Në reagimin e tij, Kryebashkiaku Alla distancohet nga ndikimi i mundshëm për rezultatin turpërues 15 me 0 në ndeshjen me Veleçikun e Koplikut. Kryetari i Bashkisë Bulqizë Lefter Alla shton më tej se zyrtarët e klubit i janë justifikuar me mungesën e lojtarëve titullar për këtë humbje.
“Bashkia Bulqizë do ta apelojë vendimin e FSHF, për t’i kërkuar organeve të drejtësisë një hetim më të zgjeruar mbi çështjen, me prova që argumentojnë këtë vendim.
Nëse pas këtij hetimi do të rezultojë se vendimi i Komisionit të Disiplinës dhe Etikës në FSHF është i drejtë, atëherë Bashkia Bulqizë do të marrë masa të menjëhershme ndaj personave të përfshirë në këtë akt të ulët, që përbën një sjellje të pahijshme dhe fyese ndaj çdo sportdashësi bulqizak, qofshin këta drejtues apo lojtarë të ekipit” – thuhet në reagimin e Kryebashkiakut.
Një ditë më parë, Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë FSHF përjashtoi për 5 vite Bulqizën, Gramshin dhe Internacional Tirana, nën dyshimin e paracaktimit të rezultateve sportive, pas një hetimi të nisur me datë 27 Prill.