Banorët e pesë fshatrave në Njësinë administrative Zerqan në Bashkinë e Bulqizës nuk do të rrezikojnë më jetën e tyre teksa kalojnë nga rruga nacionale në drejtim të banesave apo anasjelltas.
Ura e cila shkaktoi tre viktima pak vite më parë, nuk ekziston pasi në vend të saj është ndërtuar një urë e re dhe që ka siguri për kalimin mbi të.
Me një fond prej rreth 15 milion lekësh të rinj të akorduar nga buxheti i Bashkisë së Bulqizës është ndërtuar ura e re. punimet janë drejt mbylljes, ndërkohë që banorët vijojnë të kalojnë mbi urën e cila tashmë është më e sigurtë se ajo që ishte pak muaj më parë.
Frima zbatues e projektit po bën sistemimin e rrugës në të dy hyrjet e urës. Ndërkohë që puna e fundit në të do të jetë vendosja e barrierave metalike anësore dhe shtrimi me asfalt i shtresës së kësaj ure.