Përfundon Unaza e Poshtme e qytetit të Burrelit, gati të hapet për qarkullimin e automjeteve
Ka përfunduar i gjithë rehabilitimi i unazës së poshtme të qytetit të Burrelit, një investim i nisur prej disa muajsh. Kompania e cila ka fituar të drejtën e zbatimit të projektit ka bërë punimet e fundit që ishin vendosja e sinjalistikës vertikale e asaj horizontale. Këtë të hënë, e gjithë vepra ishte e plotësuar, ndërkohë që ende nuk është hapur zyrtarisht për kalimin e automjeteve, veç atyre të banorëve që jetojnë përgjatë saj.
Të gjithë zërat e punimeve janë përfunduar që nga shtresat asfaltike, ndërtimi i trotuareve, ndriçimit, sinjalistika vertikale e horizontale.
Burime për “Mat Televizion” thanë se rruga do të hapet për qarkullimin e automjeteve shumë shpejt, në mënyrë që të gjitha mjetet e tonazhit të rëndë të mos kalojnë më nga qyteti i Burrelit por të përdorin unazën e poshtme.
Kjo rrugë synon që të shmangë një problematikë të kahershme të qytetarëve të Burrelit, të cilët përballeshin çdo ditë me automjetet e tonazhit të rëndë që kryesisht transportonin mineral kromi. Të gjitha këta mjete, me hapjen për qarkullim të unazës së poshtme do të duhet detyrimisht të përdorin këtë segment qoftë për të dërguar material tek uzina e Ferrokromit apo drejt Durrësit.