Përfundon moratoriumi i gjuetisë së Peshkut në Ulëz e Shkopet
Përfundon sot afati i përcaktuar me vendim të Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj për moratoriumin dy mujor të gjuetisë së peshkut Krap në liqenet Ulëz e Shkopet.
Ndalimi i gjuetisë së peshkut në këto dy liqene ishte përcaktuar nga data 25 Prill deri me datë 25 qershor, për t’i dhënë mundësinë peshkut Krap që të lëshojë vezët dhe të ketë shtim natyral të tij.
Ndërkohë, burime bëjnë me dije se gjatë kësaj periudhe në këto dy basene ujore është ushtruar veprimtaria e gjuetisë në mënyrë të fshehtë, ndërsa janë ndaluar grupet e peshkatarëve. Nga ana e trukturave kontrolluese nuk është marrë asnjë masë apo të jenë evidentuar të gjithë ata që kanë shkelur moratoriumin.
Për zbatimin e moratoriumit u angazhuan specialistët dhe punonjësit e Drejtorisë së Politikave dhe Programeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, Organizatat e Menaxhimit të Peshkimit, Drejtorisë së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Policisë së Rendit dhe Policisë Bashkiake.
Nga kjo e mërkurë gjuetia në basenet ujore Shkopet e Ulëz është e ligjshme, por vetëm me metodat e përcaktuara. Gjuetia me lëndë plasëse apo me rrymë elektrike është rreptësisht e ndaluar.