Përcaktohen QV dhe Vendumërimi i votave për Bashkinë e Matit
Kjo e enjte ishte edhe afati i fundit i vendosur nga Komisioni Qëndor i Zgjedhjeve që të 5 bashkitë të cilat do të kenë zgjedhje të pjesshme me 9 Nëntor të përcaktonin Qendrat e Votimit dhe vendumërimin e votave. Për këtë KQZ ngarkon prefektet e Qarqeve ku bëjnë pjesë këto bashki.
Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu tha në një komunikim për “Mat Televizion” se ka dorëzuar në KQZ të gjithë listën e plotë të objekteve brenda territorit të Qarkut që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj për Vendin e Numërimit të Votave.
Po ashtu gjatë ditës së enjte është afati i fundit i partive politike për të dorëzuar pranë Komisionit Qëndorr të Zgjedhjeve emrat e propozuar për Komisionin Zonal të Administrimit Zgjedhor, ndërsa brenda datës 17 Tetor, KQZ duhet të miratojë përbërjen e tyre.
Sa i përket Qendrave të Votimit mësohet se në Bashkinë e Matit do të mbeten po ato qendra që janë përdorur për zgjedhjet Parlamentare të 11 Majit që u mbajtën pak muaj më parë dhe KZAZ do të jetë në Pallatin e Sportit “Ferit Hysa”.
Anëtarët e Komisioneve të Qendrave të Votimit duhet të dorëzohen nga partitë politike brenda datës 20 tetor pranë KZAZ-ve dhe kjo e fundit duhet t’i miratojë brenda datës 25 Tetor.
Sa i përket listës së zgjedhësve ajo duhet që të publikohet direkt pranë Qendrave të Votimit pasi të jenë miratuar nga Komisioni Qëndor i Zgjedhje ditën e premte.