Pensionistët të pakënaqur me pensionet: janë qesharake, indeksimi është tallje
Indeksimi i pensioneve që u bë pak kohë më parë nga Qeveria, duket se nuk ka përmirësuar aspak cilësinë e jetesës për pensionistët. Më të diskriminuar mbeten të gjithë ata pensionistë që përfitojnë vlerë të ulët pensioni për arsye të ndryshme. Çifti i të moshuarve, Elmaz e Hanife Shinjatari, nga fshati Bejnë i Klosit, thonë se ky indeksim është qesharak për ata. 86-vjeçari Elmaz Shinjatari shprehet se ajo vlerë është tallje për pensionistët. Ndërsa bashkëshortja e tij shprehet se nga 120 mijë lekë të vjetra pension që merr, 95 mijë lekë i shpenzon për ilaçe ndërsa me indeksimin e fundit i është shtuar një vlerë për të blerë edhe një pako biskota. Ata kërkojnë që shteti të mendojë më shumë për këtë shtresë të shoqërisë pasi kanë kontribuar me dekada në komunitet.
Vazhdimisht pensionistët kërkojnë rritje pensioni ndërsa vlerën më të ulët në këtë kategori e mbajnë pensionet e fshatit.