Partia Demokratike ka njoftuar mbrëmjen e sotme se ka bërë kallëzim Penal ndaj ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile, Bledar Doracaj.
Kallëzimi Penal i dorëzuar në SPAK nga PD, është depozituar për 3 vepra penale: falsifikim i dokumenteve, shpërdorim i detyrës dhe shkelje e të drejtës së zgjedhjes.
Në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i kërkohet SPAK-ut të sekuestrojë të dhënat kompjuterike, siç është Rregjistri Kombëtar i Gjendjes Civile për të vërtetuar ndërhyrjet e paligjshme në sistem që sipas PD është kryer me qëllim ndryshimin e adresës së vendbanimit dhe, për rrjedhojë, të pengojë qytetarët të votojnë, përmes ndryshimit të vendvotimit.
Bardhi sqaron se “duke iu referuar nenit 15 pika 3 i ligjit “ Për gjendjen civile”, në padi jepen argumente se vendbanimi ndryshohet vetëm me kërkesën e personave të interesuar.
