PD Kërcënon me Protestë: Kuvendi "Bunker" nëse Mbron Ballukun
Partia Demokratike ka njoftuar se do të thërrasë qytetarët në protestë para selisë së Kuvendit ditën kur ky institucion do të shqyrtojë mandatin apo imunitetin e Ballukut. Njoftimin e bëri kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
“Dua që përmes kësaj konference për shtyp të njoftoj se ditën kur Kuvendi të shqyrtojë mandatin apo imunitetin e Ballukut, PD do të thërrasë në protestë qytetarët para selisë së Kuvendit,” deklaroi Bardhi.
Ai theksoi se nëse shkon skenari i refuzimit të kërkesës së SPAK-ut, qytetarët do ta trajtojnë Kuvendin si një bunker ku janë strehuar të korruptuarit, i cili do të duhet të shembet. “Ditën kur Kuvendi shqyrton kërkesën për mandatin, qytetarët janë të ftuar në protestë para selisë së Kuvendit. Që nga ai moment, nëse mbahet qëndrim pro Ballukut, ai institucion do të quhet bunker i të korruptuarve,” shtoi Bardhi.