Rekamë


Tregu i gjësë së gjallë në qytetin e Klosit vijon të jetë pothuajse jashtë funksionit pasi prej dy vitesh nuk përdoret thertorja. Fermerët që shkojnë në këtë treg ditëve të diela, thonë se me mbylljen e thertoreve, bagëtia e imët dhe gjedhët mbeten pa shitur. Ka disa fermer të cilët dalin aty prej dy muajsh për të shitur, por gjedhët apo të imtat e tyre nuk i blen askush, për shkak të rregullave strikte që ka kërkuar Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ndërkohë fermerët kërkojnë zgjidhje të problemit të tyre pasi siç thonë ata është e kotë të mbash bagëti, të cilat më pas nuk ke mundësi t’i shesësh.
Që prej vjeshtës së vitit 2017, në të gjithë Qarkun Dibër u mbyllën thertoret, duke krijuar një problem shumë të madh për fermerët e qarkut dibrës të cilët duhet të udhëtojnë drejt Lezhës për të prerë kafshët e tyre.