Pastrohen kanalet kulluese të Suçit, por dalin në pah ujërat e zeza

Pastrohen kanalet kulluese të Suçit, por dalin në pah ujërat e zeza

Duke marrë shkas edhe nga problematikat që janë shfaqur muajt e fundit me përmbytjet në të gjithë vendin, me kërkesë të Këshillit të Qarkut Dibër dhe Prefektit, Bordi i Kullimit Durrës nëpërmjet agjensisë për Qarkun Dibër ka nisur punën për pastrimin e kanaleve kulluese të tokave bujqësore në fshatin Suç të Bashkisë Klos. Prej ditësh një mjet tip ekskavator i Bordit të Kullimit Durrës po punon për hapjen dhe pastrimin e të gjitha kanaleve të fushës së Suçit. E ndërsa po bëhet pastrimi i këtyre kanaleve, një problem i cili i shoqëron banorët prej dekadash, ka dalë në pah, ai i ujërave të ndotura që rrjedhin në sipërfaqe. Shqetësuese situata mbetet në afërsi të shkollës së Mesme të Bashkuar “Haxhi Lata”, ku ujërat e zeza rrjedhin në kanalin që është pastruar dhe tashmë rreziku i infeksioneve është rritur. Jashtë kameras, banorët e Suçit thanë se vazhdimisht ju është premtuar zbatimi i një projekti për rehabilitimin e plotë të ujërave të ndotura nëpërmjet një rrjeti të mbyllur, por deri tani nuk është realizuar. Ata theksojnë se situata bëhet më shqetësuese kur rriten temperaturat gjatë verës, e bashkë me to rritet edhe mundësia e përhapjes së infeksioneve të ndryshme.