Pas pjeshkëve të bllokuara në Kroaci, Sllovenia tërheq nga tregu specat e kuq të importuar nga Shqipëria!

Pas pjeshkëve të bllokuara në Kroaci, Sllovenia tërheq nga tregu specat e kuq të importuar nga Shqipëria!
Sllovenia ka urdhëruar tërheqjen me urgjencë të një sasie specash të kuq të importuar nga Shqipëria për shkak të niveleve të larta të pesticideve të konstatuara në produktin në fjalë. Ka qenë kompania “Geaprodukt” në Slloveni që ka kërkuar heqjen nga tregu të produktit të importuar nga Shqipëria për shkak të prezencës së lartë të pesticideve acetamiprid, formetanate dhe flonicamid. Produkti i kontaminuar është importuar në shtetin slloven nga data 24 gusht deri më 4 shtator të paketuar në kuti kartoni dhe qese plastike. “Geaprodukt” ka këshilluar të gjithë qytetarët vendas që kanë pasur kontakt me specat e kuq të Shqipërisë të kenë kujdes të shtuar dhe në rast se kanë simptoma si përzierje apo probleme me tretjen, të drejtohen tek mjeku. Ndërkohë ditën e djeshme ishte Kroacia që bllokoi 5.562 kg pjeshkë të ardhura nga Shqipëria për shkak të pranisë në nivele të larta të nikelit. Pas njoftimit, AKU nisi menjëherë hetimet, ndërsa u bë me dije se asnjë prej këtij produkti nuk është hedhur në tregun shqiptar, por është nisur total për në eksport.