Pas metalurgëve të Burrelit, edhe minatorët e Bulqizës në protestë

0
68

Pak ditë pasi protestuan për shkelje të kontratës së punës metalurgët e uzinës së Ferrokromit në Komsi të Matit, të njëjtën gjë kanë bërë edhe minatorët e minierës më të madhe në Bulqizë, e cila administrohet nga kompania turke Yıdırım Holding.

Shkak i kësaj proteste të kësaj të hëne ka qenë pasi minatorëve të Bulqizës u është komunikuar se në muajt në vazhdim do të tu shtohet puna edhe të shtunave, por jo vetëm. Ata pretendojnë se nuk është zbatuar kontrata për rritjen e pagave, gjë kjo që ka qenë në kontratë prej fillimit të janarit si dhe nuk është dhënë 4% i inflacionit të akorduar nga shteti.

Minatorët e Bulqizës nuk janë lejuar të protestojnë në afërsi apo brenda ambjenteve të minierës, ndaj zgjodhën të bojkotojnë punën këtë të hënë.

Nuk dihet nëse rezistenca e minatorëve të minierës më të madhe në vendin tonë do të vijojë apo kompania do të plotësojë kërkesat e tyre. Megjithatë, kjo është hera e parë, pas shumë vitesh, që minatorët, që punojnë në galerinë e kromit më të madhe në Bulqizë, të ngrejnë zërin për të drejtat e tyre. Pak vite më parë një sindikatë, e krijuar nga minatorët që punonin aty, u shkri, pasi drejtuesit e saj u larguan nga puna.