Pas lajmit, ndërhyhet në rrugën e Arbrit pranë tunelit të Murrizit
Vetëm pasi problemi u bë mediatik, kompania që ka me konçension ndërtimin e rrugës së Arbrit ka ndërhyrë për të riparuar çarjen që kishte pësuar traseja në afërsi të tunelit të Murrizit.
Siç duket nga pamjet, kompania “Gjoka Konstruksion” ka bërë hapjen e gjithë pjesës e cila kishte pësuar ulje duke e rindërtuar atë nga fillimi bashkë me nënshtresat.
Deformimi i rrugës së Arbrit në segmentin e Xibrit ka qenë problematik që prej ndërtimit të trasesë. Vazhdimisht ekspertët e kanë cilësuar si të pasigurtë rrugën në këtë zonë për shkak të probleme të tilla që ka shfaqur që nga fshati Shkallë e deri në hyrjen e tunelit numër 1 që është tuneli i Murrizit.
Sipas ekspertëve, në këtë segment duhet patjetër të vendosen pilotë në mënyrë që të rritet qëndrueshmëria e karrexhatës, ndryshe problemet do të jenë të vazhdueshme pasi e gjithë rruga pëson ulje.
Edhe në vendin që po riparohet çarja e rrugës, sipas ekspertëve duhet të gjendet një zgjidhje definitive pasi edhe më parë është bërë e njëjta ndërhyrje, por problemi është rikthyer.