Parcela kanabisi pak kilometra nga qendra e Tiranës, në zonat e pyllëzuara që rrethojnë kryeqytetin. Ishte ky rezultati i dy operacioneve të sotme të forcave të rendit, që kanë arrestuar tre persona dhe po kërkojnë të tjerë që akuzohen për kultivimin e lëndëve narkotike.

Në operacionin e parë u zbuluan 4 parcela të punuara si dhe fara të cannabis sativa, që ishin mbjellë në pyjet e fshatit Gropaj, pikërisht  në zonën e quajtur nga banorët si “Kroi i Xhepës”, shumë afër zonës së Kombinatit në kryeqytet.

Vendndodhja e fshatit Gropaj

Zbulimi iu bë i mundur vetëm falë pamjeve ajrore me avion, dhe mundësoi shpalljen në kërkim të 5 personave të dyshuar. Gjithsesi, me akuzën se nuk kanë informuar institucionet për aktivitetin e paligjshëm në zonën që mbulonin, janë arrestuar në flagrancë kryeplaku i fshatit Gropaj, 41 vjeçari E.N, si dhe dy inspektorë pyjorë.

Ndërkohë, sekuestrime janë bërë në një zonë më të izoluar të Bashkisë, në malin e Zallherrit. Aty, në një zonë të pyllëzuar dhe me akses të vështirë, janë evidentuar tre parcela me 149 rrënjë cannabis sativa, dhe forcat e rendit po punojnë për të kapur personat e dyshuara.