Presidenti Ilir Meta, gjatë komunikimit të tij të përjavshëm me gazetarët, bëri thirrje për një “strategji me protokolle të mirëpërcaktuara për ndalimin e përhapjes” së koronavirusit në vendin tonë.
“Duhet reflektim nga të gjithë, duhet një strategji me protokolle të mirëpërcaktuara për ndalimin e përhapjes së kësaj pandemie. Covid-19 mund të kthehet në një kërcënim më të madh në ditët dhe javët që vijnë”, tha Meta.
Presidenti kërkoi edhe nga qytetarët një sjellje më të kujdesshme: “Nëse do të jetë e nevojshme, do të zhvillohet një mbledhje e Komitetit të Sigurisë Kombëtare. Por, në çdo rast, mendoj se qytetarët duhet të sillen në mënyrë më të kujdesshme për shëndetin e tyre dhe familjarëve e miqve të tyre. Duket që ka një shkujdesje që ka sjellë përkeqësim të treguesve dhe kjo nuk na ndihmon që të hapemi me vendet e tjera”.