PANAIR DHE PËRVJETOR HISTORIK NË MARTANESH
Në qytetin e Krastës në Martanesh është zhvilluar aktiviteti i përvitshëm i titulluar “Vjeshtë në Martanesh”. Nxënësit e shkollës së mesme të bashkuar “Jani Fullani” ekspozuan në këtë panair, gatime të ndryshme tradicionale si dhe prodhime të ndryshme të stinës së vjeshtës.
E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri e cila tha se kjo zonë tashmë do të njohë zhvillim pasi për pak ditë do të nisë asfaltimi i rrugës Qaf Buall – Krastë.
Aktiviteti u shoqërua edhe me një program të shkurtër artistik me këngë e valle të ndryshme.
Më herët u përkujtua me një aktivitet të veçantë 83-vjetori i krijimit të çetës Partizane të Martaneshit. Pas vendosjes së kurorave me lule pranë lapidarit që përkujton këtë ngjarje, u mbajt edhe një ceremoni përkujtimore. I pranishëm në këtë aktivitet historiani Teki Kurti, mbajti fjalën e rastit.
Kryebashkiakja e Bulqizës Festime Mjeshtri tha se ngjarje të tilla mbajnë gjallë historinë e vendin dhe trashëgimin e saj ndër breza.