
Është kthyer në modë që kafshët e ngordhura të hidhen në ambjent të hapur, sidomos në rastet kur goditen nga makina në lëvizje. Prej dy ditësh ky kalë i ngordhur ndodhet buzë rrugës nacionale Burrel – Klos, pak metra larg urës së Matit.
Kanë qenë banorët e zonës që kanë ngritur shqetësimin pasi kafsha e ngordhur mund të kthehet në burim infeksioni. Jashtë kameras banorët shprehen se nuk e dinë se si kafsha ka përfunduar aty, pasi mund të jetë braktisur, apo mund të ketë rënë nga ndonjë makinë transporti kafshësh. Prania e kalit të ngordhur është bërë shqetësuese edhe për drejtuesit e mjeteve.
Banorët apelojnë instancat shtetërore për ndërhyrje që të zhvendoset kafsha e ngordhur e të mos bëhet burim infeksioni apo të përfundojë në lumin Mat.