Opozita njofton protestën kombëtare më 17 Prill: Kërkohet dorëheqja e Edi Ramës

Opozita njofton protestën kombëtare më 17 Prill: Kërkohet dorëheqja e Edi Ramës

Partia Demokratike e Shqipërisë ka caktuar datën 17 prill për protestën e radhës kombëtare. Njoftimi u bë nga kryedemokrati Sali Berisha gjatë një bisede online me qytetarët, ku theksoi se detajet e tubimit do të bëhen të ditura së shpejti.

Berisha shprehu qëndrimin e tij të prerë ndaj qeverisë, duke deklaruar: "Edi Rama mendon se do bindë shqiptarët duke sulmuar partnerët tanë. Edi Rama ke vetëm një rrugë, dorëheqjen sa më parë. Me datën 17 prill, Shqipëria në Tiranë për dorëheqjen e Edi Ramës. Mos mendo se nuk do gjesh paqe kurrë, nuk do ketë stabilitet kurrë për ty, për organizatën tënde kriminele dhe kartelet e drogës në Shqipëri. Opozita qëndron më e fuqishme se kurrë, më e vendosur se kurrë në misionin e saj.”

Lideri i opozitës adresoi gjithashtu rritjen e çmimit të naftës, duke njoftuar se demokratët kanë përgatitur një paketë masash për uljen e çmimit të hidrokarbureve.

“I garantoj se, ne do të vendosim atë regjim fiskal i cili bën të mundur që nafta në Shqipëri të shitet njëlloj si në Kosovë dhe Maqedoni e asnjë qindarkë më shtrenjtë. Kemi përgatitur paketën dhe javën që vjen e paraqesim edhe njëherë para publikut. Ekspertët dhe specialistët dhe deputetët tanë kanë punuar dhe do ju njohin me të. Por ama kjo kërkon edhe reagim qytetar,” shtoi Berisha.

Gjatë komunikimit me qytetarët, Berisha rinovoi akuzat ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se ky i fundit ka bllokuar çdo institucion në vend për të mbrojtur pozicionin e tij.