Harta e re gjyqësore e propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, parashikon shkrirjen e një numri të madh gjykatash e prokurorish të shkallës së parë në rrethe. Mes tyre janë edhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat e Prokuroria. Në hartën e re gjyqësore, matjanët pritet që shërbimet e marra deri tani pranë këtyre dy institucioneve të drejtësisë në Burrel, t’i marrin në vazhdim në Peshkopi. Qytetarët matjan të cilët pranuan të prononcohen publikisht për këtë draft shprehen kundër, pasi sipas tyre ka një kosto të lartë e cila ndikon direkt në xhepat e qytetarëve.
Sipas draftit të cilin Këshilli i Lartë Gjyqësorë ja ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë propozohet që nga 22 gjykata të shkallës së parë të bëhen 12, nga gjashtë gjykata administrative të bëhen 2 dhe nga gjashtë apele të bëhet një në të gjithë vendin. Do të mbyllen disa gjykata të vogla në rrethe si Laçi, Mati, Puka, Tropoja, Përmeti etj.