Kryeministri Edi Rama vendosi të dielën gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste të bënte ndryshime në kabinetin qeverisës, duke larguar disa ministra dhe emëruar të tjerë në vendin e tyre. Por sipas qytetarëve dibranë, të cilët u prononcuan për mikrofonin tonë, këto ndryshime nuk do të sjellin asnjë impakt ndryshe në jetën e shqiptarëve. Ata shprehen skeptik për këto 34 vite tranzicion në Shqipëri kur thonë se asnjë forcë politike nuk ka menduar realisht për popullin, por vetëm për xhepat e tyre.

Në vitin e fundit të mandatit të tretë, Kryeministri Rama vendosi t’u besojë tre drejtorëve të papërfolur dhe të pakonsumuar tre ministritë më të rëndësishme në vend. Kështu në krye të ministrisë së Brendshme, largohet Taulant Balla dhe në vend të tij emërohet drejtori aktual i IKMT-së, Ervin Hoxha. Në ministrinë e Financave është larguar Ervin Mete dhe në vend të tij është emëruar Petrit Malaj, drejtori aktual i AKBN-në. Ndërsa në ministrinë e Mbrojtjes është larguar Niko Peleshi dhe vendin e tij e ka zënë drejtori aktual i Portit të Durrësit, Pirro Vengu. Pas dorëheqjes së Lindita Nikollës, Rama propozoi Elisa Spiropalin kryetare të Kuvendit.