Numri i ri i gazetës “mati” ndërthur historinë e kastriotëve, traditat dhe artin e rajonit të matit
Gazeta “Mati” ka lançuar numrin e saj të ri, 121, për periudhën qershor-korrik 2025, duke ofruar një panoramë të pasur me artikuj që ndërthurin historinë, kulturën dhe lidhjen e pashkëputur me vendlindjen. Numri i ri i gazetës “Mati” i kushtohet që në ballinë lidhjes historike midis rajonit të Matit dhe fisit të Kastriotëve, duke theksuar se ky fis ka qenë sunduesi i parë i zonës dhe se Stelushi shërbente si qendër e principatës së tyre, ndërsa historianë si Dilaver Kurti, prof. dr. Pëllumb Xhufi dhe akademik Beqir Meta nënvizojnë rëndësinë e Matit si bastion të luftës së Skënderbeut dhe identitetit kombëtar.
Gazeta paraqet gjithashtu pasqyrime të festave tradicionale, përfshirë “31 Korrikun” në Mat, festën e Dritës së Liqenit në Xibër dhe riunifikimin e fisit Xhepnuzaj në Karicë, apo Dita e Shënmërisë në Macukull. duke nxjerrë në pah rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore të rajonit.
Një seksion i veçantë i botimit fokusohet te intelektualët matjanë, si Rasim Gjoka dhe Shyqyri Dado, si dhe te artistët dhe autorët e njohur, përfshirë skulptorin Fatos Kola dhe prof. Albert Frashërin me librin e tij “Magjia e Rilindjes Kombëtare”, duke evidentuar kontributin e tyre në zhvillimin kulturor dhe artistik të komunitetit.
Gazeta i kushton gjithashtu hapësirë artit dhe figurave të veçanta të Matit, si artikulli “Magjia e Skulpturës shqiptare” dhe “Koloneli i energjive me shpirtin në Mat”, duke sjellë në fokus vlerat artistike dhe kontributin e individëve që frymëzojnë dhe zhvillojnë rajonin.
Ky numër i 121 “Gazeta Mati” ofron një gamë të plotë shkrimesh që ndërthurin historinë, kulturën, artin dhe ndjenjën e fortë të vendlindjes. Përmes shkrimeve me mesazhe të fuqishme dhe fokusit mbi kontributin e figurave të ndryshme, gazeta me botues intelektualin matjan Qemal Cenaj, shërben si një pasqyrë e trashëgimisë së pasur matjane dhe një urë lidhëse mes të kaluarës, së tashmes dhe të ardhmes së Matit. Leximi i këtij botimi është një ftesë për të reflektuar mbi identitetin dhe për të vlerësuar thelbin e një komuniteti që mbetet i lidhur me rrënjët e tij. Fatmir Neli