
Megjithëse procedura për kompaninë që do të bëjë mirëmbajtjen e rrugës nacionale Lori.2 Kontrata B të Rajonit Qëndror e Verilindor që përfshin edhe segmentin Burrel – Skuraj ka nisur prej afro tre muajsh ende nuk ka një fitues.
Procedura e tenderit është shpallur me datë 17 Mars dhe data e mbajtjes së tenderit ka qenë 18 Prilli, ende nuk është shpallur fituesi i garës për mirëmbajtjen e akseve kryesore të rajonit Qëndror e Verilindor.
Nuk dihet me saktësi se sa do të zgjasë procedura e vlerësimit të ofertave, ndërsa aksi rrugor vijon të mbetet në mëshirë të fatit.
Gjendja e rrugës vijon të jetë e rënduar, ku ka nisur rishfaqja e gropave në të gjithë gjatësinë e këtij aksi nga Skuraj në Burrel, por jo vetëm, pasi në të njëjtën gjendje është edhe segmenti tjetër nga Klosi – në Peshkopi.
Po ashtu në shumë segmente ka edhe deformim të rrugës me ulje të asfaltit, të cilat shpesh janë bërë burim aksidentesh sidomos për drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë për herë të parë në të.
Autoriteti Rrugor Shqiptar pritet të shpallë fituesin e garës së tenderit të mirëmbajtjes për një periudhë dy vjeçare me një vlerë prej afro 4 milion euro.
E deri sa ARRSH të firmosë kontratën e mirëmbajtjes drejtuesit e mjeteve që përdorin këtë aks rrugor duhet të përballen me gropat dhe deformimet në rrugë.